Hamdi Yıldız
02 Qershor 2019•Përditësim: 03 Qershor 2019
Pas një ndërprerjeje prej një jave, në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, kanë rifilluar përleshjet midis forcave të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe njësive ushtarake lindore të kryesuara nga gjenerali Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Luftimet, të cilat kanë vazhduar me ndërprerje të kohëpaskohshme që nga 4 prilli, kanë rifilluar në jug të Tripolit, njoftuan burimet në rajon.
Ndërkaq, burimet ushtarake të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar njoftuan nisjen e një ofensive për marrjen e kontrollit mbi Ish-Aeroportin Ndërkombëtar të Tripolit dhe se forcat e tyre kanë shënuar avancime në rajonin Jermuk në jug të kryeqytetit dhe përreth aeroportit.
Përparimi i forcave të Tripolit është arritur pas gjuajtjeve me artileri në drejtim të zonave ku gjenden të vendosura njësitë e gjeneralit Haftar.
Ndryshe, më 4 prill, Khalifa Haftar, komandant i pozicionuar në lindje të vendit, dha urdhrin për nisjen e një ofensive ushtarake për të pushtuar kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.