Mücahit Aydemir
12 Shtator 2020•Përditësim: 14 Shtator 2020
Mijëra libianë kanë vazhduar në ditën e dytë protestat që filluan të enjten kundër kushteve të rënda të jetesës në qytetin Benghazi i cili është qendër e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e Benghazit dolën sërish në rrugë për të protestuar kundër kushteve të rënda të jetesës, të tilla si ndërprerja e energjisë elektrike, korrupsioni, jetesa e shtrenjtë, mospagesa e rrogave dhe ndërprerja e ujit.
Në pamjet e reflektuara në shtypin lokal dhe në postimet në median sociale të bëra nga aktivistët vërehet se disa nga protestuesit mbyllin rrugët duke djegur goma.
Protestuesit dogjën fotografitë e Haftarit gjatë protestave që filluan të enjten në qytetin Benghazi i cili është qyteti i dytë më i madh në vend pas kryeqytetit Tripoli dhe i cili është qendër e forcave të Haftarit. Protestuesit zhvilluan protestën e tyre duke brohoritur me sloganet "Të gjallë apo të vdekur kërkojmë vetëm dinjitetin tonë", "Revolucion, revolucion, Benghazi! Kanë vjedhur pasurinë, nuk ka mbetur shpresë", dhe "Hapni komplekset e naftës!".
Në të gjithë qytetet e Libisë, vendi që ka rezervat më të mëdha të naftës në kontinentin e Afrikës ndodhin ndërprerje të energjisë elektrike që arrijnë deri në 20 orë.
Khalifa Haftar në Libi që nga muaji janar mban të mbyllura puset dhe komplekset e naftës në rajonet lindore që ai ka nën kontroll, për ta përdorur naftën e vendit si një "as nën mëngë" kundër qeverisë libiane që ka legjitimitet nga OKB-ja.
Me ndalimin e prodhimit dhe eksportimit të naftës nga milicët e Haftarit, Libia që nga viti i ri e deri më tani ka pësuar dëme prej rreth 10 miliardë dollarë pasi është privuar nga të ardhurat e naftës të cilat përbëjnë më shumë se 90 për qind të ekonomisë së saj.