Elena Teslova
08 Korrik 2020•Përditësim: 08 Korrik 2020
Presidentët e Rusisë dhe Kinës janë pajtuar sot që të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një kumtese nga Kremlini zyrtar, presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping në një bisedë telefonike thanë se ndihma që vendet i dhanë njëra-tjetrës në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri ishte "një manifestim i mrekullueshëm" i partneritetit strategjik midis tyre.
Udhëheqësit synojnë të "vazhdojnë në mënyrë aktive rritjen e bashkëpunimit ekonomik bazuar në projekte në shkallë të gjerë në fushat e furnizimit me hidrokarbure, energji bërthamore paqësore, ndërtim të avionëve civilë, bashkëpunim shkencor, teknik dhe inovativ", thuhet në kumtesë.
"Interesi u konfirmua në koordinimin e mëtejshëm të përpjekjeve në arenën ndërkombëtare, kryesisht në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe përmes Organizatave të Bashkëpunimit Shanghai dhe BRICS", thuhet më tej.
Putin dhe Xi gjithashtu shprehën "mbështetje të fuqishme reciproke" për mbrojtjen e sovranitetit, parandalimin e ndërhyrjes në punët e brendshme nga jashtë dhe sundimin e ligjit ndërkombëtar.
Xi gjithashtu uroi Putinin për ndryshimet e fundit në Kushtetutën e Rusisë, duke i vlerësuar ata si "një hap të madh për të forcuar shtetësinë ruse dhe zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të vendit".
Putin kohët e fundit dekretoi ndryshimet kushtetuese që i lejuan atij të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.