Murat Ünlü
26 Qershor 2017•Përditësim: 27 Qershor 2017
PARIS (AA) – Presidenti i Francës Emmanuel Macron porositi se Franca asnjëherë nuk do të njoh aneksimin rus të Krimesë, raporton Anadolu Agency (AA).
Macron sot në Pallatin e Elizesë priti homologun e tij ukrainas Petro Poroshenko, ndërsa pas takimit në fjalimin para gazetarëve theksoi se Franca mbështet tërësinë dhe sovranitetin e Ukrainës, dhe se aneksimi rus i Krimesë është ilegal dhe i papranueshëm.
Duke theksuar se pjesëtarët e misionit vëzhgues të OSBE-së në lindje të Ukrainës përballen me shumë pengesa në punë, Macron tha se Poroshenko është shprehur se është e domosdoshme të vazhdohet procesi paqësor i bazuar në marrëveshjen e Minskut që u nënshkrua në shkurt të vitit 2015, por që akoma nuk ka sjellë vendosjen e armëpushimit mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve prorusë në Donbas.
Presidenti ukrainas Poroshenko tha se me një dozë edhe më të madhe të optimizmit e shikon procesin paqësor pas takimit me Macron. Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca zhvillojnë negociata multilaterale për zgjidhjen e krizës ukrainase, ndërsa Poroshenko paralajmëroi se në fund të qershorit ose në fillim të korrikut do të organizohet një takim i ri i grupeve.
Përleshjet në lindje të Ukrainës filluan në prill të vitti 2014, ndërsa në raportin e fundit të OKB-së theksohet se në këtë periudhë kanë humbur jetën gjithsej 10.090, ndërsa janë plagosur 23.966 persona.
Në mesin e të vdekurve 2.777 janë civilë. Kriza në lindje të Ukrainës nuk është zgjidhur as pasi në shkurt të vitit 2015 u nënshkrua marrëveshja paqësore në Minsk.
Të dyja palët akuzohen për shkelje të armëpushimit. Shumë vende të bashkësisë ndërkombëtare dënuan Rusinë për shkak të politikës agresive ndaj Ukrainës dhe aneksimit të siujdhesës ukrainase të Krimesë dhe qytetit Sevastopol. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të vendosën një varg sanksionesh ndaj Moskës.