Ekip
29 Mars 2018•Përditësim: 30 Mars 2018
ISLAMABAD (AA) - Fituesja e çmimit Nobel, Malala Yousafzai ka mbërritur në Pakistan për herë të parë pasi që u qëllua gjatë një tentative të atentatit nga një vrasës taleban në vitin 2012, raporton Anadolu Agency (AA).
Nobelistja arriti në Islamabad e shoqëruar nga prindërit e saj dhe anëtarët e fondacionit "Malala", kurse vizita e saj në vendilindje në Pakistan u organizua në fshehtësi për shkaqe sigurie. Gazetarëve nuk iu lejua të fotografojnë ardhjen e saj në aeroport.
Yousafzai gjatë vizitës u takua me kryeministrin e Pakistanit, Shahid Khaqan Abbasi, në zyrën e tij në Islamabad dhe në një fjalim të shkurtër emocional ajo tha se kjo është dita më e lumtur në jetën e saj.
"Sot është dita më e lumtur e jetës sime, sepse jam kthyer në shtëpi. Përsëri eci në tokën e vendit tim dhe në mesin e popullit tim", tha 20-vjeçarja.
Ajo premtoi se do të vazhdojnë fushatën për shkollimin e vajzave ndërsa pakistanezët i ftoi që të jenë të bashkuar në çështjet si kujdes më të mirë shëndetësor dhe arsimin.
Kryeministri i Pakistanit Yousafzai-t i dëshiroi një mirëseardhje të ngrohtë duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme përpjekjet e saj për promovimin e arsimimit të vajzave në mbarë botën.
"Pakistani është krenar për ju dhe ju jeni thesari i vendit tonë", tha kryeministri pakistanez.
Ai theksoi se Yousafzai pakistanezët i ka bërë krenarë në çdo takim dhe se ajo është një model i vërtetë për brezin e ri.
"Malala gjithashtu është viktimë e terrorizmit, por sot ne kemi mposhtur terroristët në Pakistan duke rivendosur paqen në vendin tonë", përfundoi Abbasi.
Vajza nga Pakistani u bë e njohur kur talebanët më 9 tetor të vitit 2012, sulmuan autobusin me të cilin po kthehej nga shkolla. Një person i maskuar ishte futur në autobus dhe e kishte pyetur vajzën se si quhej, pas së cilës hapi zjarr ndaj saj. Malala u plagos në kokë, qafë dhe shpatull.