Dildar Baykan
20 Maj 2019•Përditësim: 21 Maj 2019
Mbrojtësi i të drejtave të njeriut, muslimani amerikan Malcolm X, u përkujtua në 94 vjetorin e lindjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia përkujtimore për 94 vjetorin e lindjes së Malcolm X, i cili në luftën kundër racizmit, u përpoq të eliminonte ndarjen mes të bardhëve dhe afro-amerikanëve me ngjyrë me mësimet e Islamit për tolerancën dhe vëllazërinë, u zhvillua në sallën e shfaqjeve ku ai u qëllua nga tre agresorë të armtatosur teksa mbante një fjalim në New York më 21 shkurt 1965.
Në ceremoninë e zhvilluar në sallën e emëruar që nga viti 2005 "Shabazz Center" që ndodhet në lagjen Harlem e identifikuar me shorëqinë e afro-amerikanëve të New Yorkut dhe e cila operon për të mbajtur gjallë trashëgiminë e Malcolm X dhe bashkëshortes së tij Betty Shabazz morën pjesë vajzat dhe të afërmit e Malcolm X.
Po ashtu për Malcolm X janë mbajtur ceremoni përkujtimore edhe nga aktivistët në rajone të ndryshme të SHBA-së.
Luftëtari i kauzës dhe lirisë Malcolm X
Malcolm X, emri i vërtetë i të cilit ishte Malcolm Little, erdhi në jetë në vitin 1925 si i biri i një predikuesi me emrin Earl Little, i cili besonte se afro-amerikanët nuk do t'i fitojnë liritë dhe se ata duhet të kthehen në Afrikë.
Që në moshën pesëvjeçare, Malcolmit i vritet babai nga autor i panjohur, ndërsa nëna i mbyllet në një spital të shëndetit mendor. Pas fëmijërisë që kaloi në varfëri dhe vështirësi, në vitin 1946 u dënua me burg për vjedhje.
Gjatë kësaj periudhe, Malcolm X përvetësoi idetë e Elijah Muhammed, liderit të lëvizjes Nation of Islam (Kombi i Islamit), e cila mbronte "nacionalizmin me ngjyrë". Ai iu bashkangjit kësaj lëvizjeje pasi u lirua nga burgu në vitin 1952. Që nga kjo kohë, Malcolmi filloi të përdor mbiemrin X, në shenjë përfaqësimi për mbiemrat e paraardhësve afrikanë të cilët ishte e pamundur të njiheshin. Falë personalitetit të tij karizmatik, energjisë së tij, fjalëve dhe stilit të tij të zjarrtë që nuk i kursente fjalët, ai shpejt u bë një nga fytyrat kryesore të lëvizjes.
Me kalimin e kohës, Malcolm X ra në mosmarrëveshje me Elijah Muhammed lidhur me përqendrimet e lëvizjes, metodat e përdorura dhe këndvështrimet ndaj fesë. Më 1964, ai u nda nga Nation of Islam.
Në periudhën e fundit të jetës së tij, ai mbrojti nevojën për të kuptuar fenë islame për zgjidhjen e problemit racor të shoqërisë amerikane dhe luftën për të drejtat e njeriut duke marrë për bazë vëllazërinë mes të gjitha racave. Gjatë kësaj kohe, ai filloi të përdorë emrin El-Hajj Malik El-Shabazz.
Më 21 shkur të vitit 1965, Malcolm X u qëllua për vdekje teksa po mbante një fjalim në Harlem.
Biografia e liderit musliman me ngjyrë Malcolm X, e shkruar së bashku me Alex Haley, shkrimtarin e romanit "Rrënjët" i cili paraqet një nga kryeveprat në letërsinë afroamerikane, konsiderohet si një nga autobiografitë më të rëndësishmë të shekullit 20.