Barış Seçkin
03 Shkurt 2017•Përditësim: 04 Shkurt 2017
LA VALLETTA (AA) – Liderët e institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) dhe krerët e shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare janë mbledhur në Maltë, shteti i cili aktualisht mban presidencën e Këshillit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Në samitin jozyrtar në Pallatin Grandmasters në kryeqytetin La Valleta, liderët janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me problemin e migrimit të paligjshëm i cili po vazhdon në Mesdheun qendror, marrëdhëniet me SHBA-të, Brexitin si dhe të ardhmen e Unionit në kuadër të 60-vjetorit të Traktatit të Romës më 1957 i cili vuri themelet e BE-së.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, në një deklaratë për media para samitit, tha se Evropa sot duhet të veprojë me përgjegjësi të madhe, duke shtuar se bota ka nevojë për një BE të fuqishme, gjë të cilën, siç tha ajo, duhet ta shfaqin si Union.
Duke folur për çështjen e migrimit e cila është nga temat prioritare që diskutohet në samitin e sotëm, Mogherini tha se "Sot mund të shfaqim një qasje të ndryshme sa i përket migrimit. Qasja e Evropës, është qasje e të qenit partner. Sot, besoj se do t'i japim mbështetje të fuqishme Libisë".
Mogherini po ashtu vuri në pah se janë miq me popullin dhe administratën amerikane mbi themelet e vlerave të fuqishme dhe interesave. Sipas saj, kjo gjë do të vazhdojë në këtë mënyrë.
"Është normale që pozicionet midis miqve të shfaqin dallime. Evropa mund të mendojë ndryshe kur nevojitet qasje e prerë në çështjen e migrimit. Ne nuk besojmë në mure dhe ndalesa. Kjo është qasja e Evropës. Qasja amerikane sot mund të shfaqë dallime. Ky nuk është problem i Evropës. Ky mbase mund të jetë problem i Amerikës, por ne me miqtë amerikanë gjithnjë e shikojmë miqësinë dhe bashkëpunimin tonë", vlerësoi Mogherini.
Nga ana tjetër, kancelarja gjermane Angela Merkel, duke theksuar se Evropa ka në duart e veta fatin e saj, u shpreh se "Sa më e qartë të jetë forma jonë e definimit të rolit tonë në botë, po aq mund t'i konsiderojmë pozitive edhe marrëdhëniet tona transatlantike".
Ndërkaq, kryeministri i Italisë Paolo Gentiloni, duke folur në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me Libinë ditën e djeshme për ndalimin e migrimit të paligjshëm, tha se "90 përqind e migrantëve vijnë nga Libia. Kjo marrëveshje hapi një faqe të re".
Gentiloni tha se ndihet i gëzuar nga kjo marrëveshje. "BE-së mund t'i themi se e kemi bërë atë që na takonte. Tani nga BE-ja do të kërkojmë resursin e nevojshëm. BE mund të ofrojë shumë resurse në aspektin ekonomik", tha Gentiloni.