Turgut Alp Boyraz
21 Prill 2017•Përditësim: 21 Prill 2017
JERUSALEM (AA) - Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka theksuar se regjimi sirian ka ende armë kimike, raporton Anadolu Agency (AA).
I ndodhur në Izrael në kuadër të turneut në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, Mattis u takua me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Avigdor Lieberman.
Në një fjalim në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me Liberman në Tel Aviv, kreu i Pentagonit është shprehur "Në mendjen e komunitetit ndërkombëtar nuk ka asnjë dyshim se Siria posedon ende armë kimike, duke shkelur marrëveshjet dhe deklaratat që ka bërë."
Pasi ka vënë në dukje se posedimi i armëve kimike nga regjimi i Sirisë nënkupton shkeljen e vendimeve të KS-OKB-së, dhe pasi ka rikujtuar sulmin që SHBA-të kryen ndaj një baze ushtarake në Siri, Mattis ka theksuar se do të ishte e "pamenduar" që regjimi të përdorte sërish armë kimike. Ai ka shtuar se sulmi i SHBA-ve në Siri tregon qartë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje.
Ndërsa edhe Liberman është shprehur se "kanë informacion 100 për qind" që regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike kundër opozitarëve sirianë.
Sekretari amerikan Mattis më pas ka kaluar në Jerusalemin Lindor, ku dhe është takuar me kryeministrin Netanyahu, i cili në një deklaratë për gazetarët para takimit tha se kanë vërejtur se në politikat e SHBA-ve është përjetuar një ndryshim i madh.
Duke iu referuar sulmit që SHBA-ja kreu në Siri, Netanyahu ka theksuar se ky "është një veprim i sinqertë kundër Sirisë, përfaqësueses së Iranit".
Më tej duke bërë të ditur se ndryshimi i përjetuar në politikat e SHBA-ve është mirëpritur me kënaqësi në rajon dhe në botë, Netanyahu tha se "Mendoj se ky ndryshim në udhëheqjen dhe politikat e SHBA-ve është i kënaqshëm. Ne kemi vlera të përbashkëta dhe rreziqe të përbashkëta."
Netanyahu gjithashtu ka theksuar se rreziqet e përbashkëta me SHBA-në janë "Ekstremizmi shiit i udhëhequr nga Irani me ekstremizmin sunnit i drejtuar nga DEASH-i."
Mattis turneun e tij në Lindjen e Mesme dhe Afrikë e nisi tre ditë më parë me vizitën në Arabinë Saudite dhe Egjiptin. Pas Izraelit ai pritet të vizitojë Katarin dhe Xhibutin.