Ekip
18 Tetor 2017•Përditësim: 18 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Rojet bregdetare të Mauritanisë arrestuan të martën 70 peshkatarë senegalezë. Ata u kapën gjatë peshkimit të paligjshëm në ujërat e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Unionit të Peshkatarëve të Senegalit me seli në Shën Luis afër kufirit me Mauritaninë.
"Disa prej tyre janë arrestuar në Nouakchott. Njëri prej tyre u qëllua dhe është shtrirë në spital. Disa janë liruar me kusht, por anijet e tyre janë konfiskuar. Dhjetë të tjerë mbeten në paraburgim", tha Djiby Gueye për radio stacionin lokal Teranga FM në St Louis.
Drejtori i peshkimit në Senegal me bazë në Shën Luis ka kërkuar lirimin e personave dhe u kërkoi peshkatarëve të ndalnin operacionet në atë zonë me efekt të menjëhershëm.
"Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve, poashtu dënojmë peshkimin e paligjshëm jashtë zonës detare. Gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë peshkatarëve senegalezë që të ndalojnë peshkimin në atë zonë dhe të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje", tha Famara Niassy për radion në Shën Luis.
Peshkatarët senegalezë janë të interesuar të kalojnë në Mauritani për të peshkuar në mënyrë të rregullt, një situatë që autoritetet mauritaniane mendojnë se është duke i lënë peshkatarët e tyre lokalë jashtë biznesit.
Mauritania nuk ka nënshkruar marrëveshje peshkimi me Senegalin sipas kodit të ri të peshkimit.