Ivana Ramadanova
03 Tetor 2016•Përditësim: 04 Tetor 2016
SHKUP (АА) – Sot në Shkup nën organizim të Fakultetit për Siguri u mbajt debati shkencor-profesional me temën “Funksionimi i sistemit të sigurisë në Republikën e Maqedonisë në një situatë sigurie të ndërlikuar dhe krize – menaxhimi dhe ballafaqimi me kriza”, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i debatit ishte që të vërtetohen sferat eventuale kritike në sistemin e sigurisë së Maqedonisë në të cilat nevojiten elemente për ndryshim pozitiv, mes tjerash edhe në pjesën e menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes dhe shpëtimit.
Në hapjen e debatit fjalim mbajti ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, i cili theksoi se sot nuk ekziston pjesë e shoqërisë e cila nuk është objekt i kërcënimit, dhe se pikërisht kjo premisë duhet të jetë postulat kryesor në ndërtimin dhe mbindërtimin e sistemit të sigurisë.
“Maqedonia me pozitën e saj gjeografik, si dhe me prioritetet qartë të deklaruara, as nuk ka qenë dhe as që do të jetë e anashkaluar nga format dhe llojet e ndryshme të rreziqeve të sigurisë. Ne sipas bindjes sime të thellë doemos duhet të fokusohemi në ndërtimin e mëtejshëm të konceptit fleksibil, efikas, teknikisht të modernizuar të sigurisë në nivelin institucional, fillimisht i aftë për evidentimin qeveritar, analizë dhe vlerësimin e kërcënimeve, si dhe për sistem multinacional për përgjigje përkatëse ndaj të njëjtave”, theksoi ministri Spasovski.
Sipas profesorit Marjan Gjurovski, përmes këtij procesi të debatit duhet të dalin propozime dhe zgjidhje për ballafaqimin më të mirë me problemet e sigurisë dhe sfidat, që do të sjellë që qytetarët e Maqedonisë ta kthejnë besimin ndaj institucioneve të sistemit.