Ömer Faruk Yıldız
03 Mars 2021•Përditësim: 04 Mars 2021
Të paktën 37 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në Mianmar gjatë ditës së sotme, më vdekjeprurësja që nga grushti ushtarak i 1 shkurtit, pasi policia dhe forcat e sigurisë hapën zjarr të drejtpërdrejtë për të shpërndarë protestuesit kundër puçit që po mblidhen në gjithë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të paktën 37 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në Mianmar gjatë ditës së sotme, më vdekjeprurësja që nga grushti ushtarak i 1 shkurtit, pasi policia dhe forcat e sigurisë hapën zjarr të drejtpërdrejtë për të shpërndarë protestuesit kundër puçit që po mblidhen në gjithë vendin. ( Stringer - Anadolu Agency )
Përballë shtypjes së dhunshme nga policia dhe forcat e sigurisë, një numër i madh njerëzish edhe një herë dolën në rrugë në qytete të mëdha dhe qyteza për të kërkuar rivendosjen e qeverisjes civile.
Raportimet e mediave lokale, duke cituar burime nga Komiteti i Përgjithshëm i Grevës dhe dëshmitarët okularë, thonë se numri i të vdekurve ka arritur në 37.
Të paktën 22 njerëz kanë vdekur në Yangon, qendrën tregtare të vendit, pasi policia dhe forcat e sigurisë përdorën zjarr të drejtpërdrejtë dhe forma të tjera të forcës vdekjeprurëse për të shpërndarë turmat që protestonin kundër ushtrisë së Mianmarit dhe kërkonin rivendosjen e qeverisë demokratike.
Sipas raportimeve në media, dy persona janë vrarë në Mandalay, qytetin e dytë më të madh të Mianmarit, pasi policia dhe forcat e sigurisë përdorën taktika brutale kundër protestuesve të paarmatosur.
Mediat raportojnë se shtatë njerëz janë vrarë në Monywa, qytetin më të madh në rajonin Sagaing, dy në fshatin Salin të rrethit Minbu në Divizionin Magway, një në qytetin Pyay të rajonit Bago dhe një në Myingyan, një qytezë në Mandalay.
Mediat raportuan gjithashtu dy vdekje të tjera, njërën në qytetin Kalay në rajonin qendror Sagaing dhe tjetrën në Mawlamyine, kryeqytetin e shtetit Mon në kufi me Tajlandën.
Raportimet e mediave thonë se në mesin e të vdekurve në Yangon është një anëtar i ekipit vullnetar lokal të shpëtimit, Mon Myat Seik Htar (MMSH). Pamjet që tregojnë katër anëtarë të MMSH-së duke u rrahur nga policia u shpërndanë në mediat sociale.
Një udhëheqëse e një grupi vullnetarësh me qendër në Yangon konfirmoi arrestimin e një anëtare të MMSH-së teksa ofronte ndihmë mjekësore për një protestuese të plagosur në vendbanimin Okalapa Veriore.
"Anëtarja e MMSH-së u plagos rëndë në kokë pasi u rrah nga policia. Megjithatë, nuk kemi ndonjë informacion të mëtejshëm rreth tyre", tha ajo për AA nëpërmjet telefonit.
Sipas një dëshmitari që foli për AA, policia qëlloi protestuesit edhe pas kapjes.
"Unë u trondita shumë kur pashë që një protestues i paarmatosur u qëllua nga policia pasi ai nuk ishte në gjendje të vetëmbrohej", tha ai në telefon.
Më herët u raportua se në kryeqendrën tregtare të vendit Yangon, një protestues vdiq nga plagët me armë, raportoi Khit Thi Media, duke cituar punëtorët vullnetarë të shpëtimit si dëshmitarë.
Pamjet që tregojnë policinë duke vendosur barrikada të përkohshme në lagjen veriore Okalapa të qytetit Yangon u shpërndanë gjithashtu në mediat sociale.
Ndërkaq, po ashtu u njoftua se protestuesja e vdekur në Myingyan ishte një vajzë 14-vjeçare.
Rreth 300 protestues u arrestuan pas përplasjes midis forcave të sigurisë dhe demonstruesve në Yangon, sipas këtyre lajmeve.
Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në Mianmar, zbuloi të hënën se policia dhe forcat e sigurisë kanë arrestuar, akuzuar ose dënuar 1.213 njerëz në lidhje me grushtin e shtetit të 1 shkurtit.
Sipas AAPP-së, 913 persona janë ndaluar ose akuzuar që nga e diela, ndërsa katër prej tyre që janë dënuar nga gjykatat.