Ömer Faruk Yıldız
09 Shkurt 2021•Përditësim: 09 Shkurt 2021
Protestat në Mianmar vazhduan pavarësisht nga shtetrrethimi i shpallur në disa qytete pasi demonstratat kundër puçit ushtarak u përhapën në gjithë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në kryeqytetin Naypyidaw, në Yangon, Bago dhe Mandalay, duke brohoritur parulla kundër grushtit të shtetit dhe duke mbajtur fotografi të ish-lideres së vendit Aung San Suu Kyi, e cila u arrestua para grushtit të shtetit, dhe flamuj të kuq që simbolizojnë partinë e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Në Bago, policia ndërhyri me ujë me presion në përpjekje për të shpërndarë kundërshtuesit e grushtit të shtetit.
Në Yangon, gjashtë automjete ushtarake dhe gati 100 ushtarë u vendosën në zonën e një qendre tregtare ku u mblodhën protestuesit, ndërkohë që nuk u regjistruan përplasje midis protestuesve dhe ushtarëve.
Qeveria ushtarake e Mianmarit shpalli dje shtetrrethim në shtatë rrethe të Yangon dhe Mandalay pas protestave kundër puçit të përhapura në gjithë vendin.
Po ashtu, në vend u shpall ndalesë qarkullimi nga ora 20:00 në mbrëmje deri në ora 04:00 në mëngjes dhe u ndalua mbledhja e grupeve me më shumë se 5 persona.
Ndryshe, ushtria e Mianmarit, e njohur zyrtarisht si Tatmadaw, shpalli gjendje të jashtëzakonshme javën e kaluar disa orë pasi ndaloi lideren de-fakto të vendit dhe Këshilltaren e Shtetit Aung San Suu Kyi, presidentin Win Myint dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Suu Kyi shërbeu si lidere e Mianmarit nga viti 2016 deri në vitin 2021 pas një lufte të gjatë për demokraci që i dha asaj Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991. Megjithatë, heshtja e saj në lidhje me masakrën ndaj muslimanëve Rohingya dhe mbrojtja e gjenocidit të ushtrisë në gjykatën ndërkombëtare tërhoqi kritika të ashpra në gjithë globin.
Grushti i shtetit u zhvillua disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri që po mblidhej pas zgjedhjeve të mbajtura nëntorin e kaluar, në të cilën partia NLD e kryesuar nga Suu Kyi korri fitore. Ushtria pretendoi që grushti i shtetit ndodhi për shkak të "mashtrimit zgjedhor" që ka çuar në dominimin e NLD-së në parlament.