Ekip
31 Janar 2020•Përditësim: 31 Janar 2020
Një vizitor kinez në Mianmar që dyshohet se është i infektuar me koronavirus, është shtruar në spital në qytetin Yangon, raporton Anadolu Agency (AA).
Fluturimi i kompanisë “China Southern Airlines”, që transportonte 79 pasagjerë, mbërriti në Guangzhou nga Kina.
Menaxheri i përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar Yangon, Soe Paing, për AA tha se një pasagjer mashkull 56-vjeçar kinez u zbulua se ka simptoma të lidhura me koronavirusin dhe u dërgua në spital.
“Autoritetet nuk lejuan 78 pasagjerët e tjerë të zbresin nga avioni", tha Paing për AA.
Sipas Departmentit të Aviacionit Civil (DCA), vetëm dy pasagjerë do të lejohen të zbresin nga avioni në Mianmar, ndërsa pjesa tjetër nuk do të lejohet të hyjnë në vend.
“Ata do të kthehen në Kinë me të njëjtin fluturim”, theksuan për AA burime nga DCA.
Autoritetet shëndetësore të Mianmarit thanë se nuk kishte raste të koronavirusit në vend, edhe pasi përhapja e koronavirusit u përkeqësua.
Deri më sot, gjithsej 9.810 raste të koronavirusit janë konfirmuar në 23 vende të botës, 99 për qind e tyre në Kinë.
Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan, thuhet se te njerëzit është transmetuar nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës së fundmi njoftoi se numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit të ri ka arritur në 213.
Në Kinë po ashtu janë konfirmuar rreth 9.600 raste të pneumonisë të shkaktuara nga koronavirusi, i njohur gjithashtu si 2019-nCoV.
Koronavirusi ka ngritur alarmin në nivel global, me raste të raportuara në të gjithë Azinë si dhe në Evropë, SHBA dhe Kanada.
Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan dhe pjesë të tjera të Kinës.
Në një takim urgjent të ditës së djeshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin e virusit të ri një emergjencë ndërkombëtare.