Abdelrahman Fathy Ramadan Mohamed,Hacer Başer
18 Qershor 2021•Përditësim: 18 Qershor 2021
Milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, njoftuan fillimin e një operacioni ushtarak kundër terroristëve në jug të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga milicët e Haftarit, thuhet se është dhënë urdhër për dërgimin e njësive për mbështetje të forcave në jug të vendit.
Operacioni në fjalë synon kapjen e terroristëve dhe dëbimin e mercenarëve afrikanë që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin, që kryejnë veprime të tilla si plaçkitje, grabitje dhe çdo lloj trafikimi. Theksohet se bandat terroriste vendosin në objektiv me autobomba pikat e sigurisë në jugperëndim të vendit.
Në një sulm vetëvrasës me autobombë më 6 qershor ndaj një pike të sigurisë të drejtorisë së policisë Sebha në jug të vendit, humbën jetën punonjësit në Zyrën e krimeve, kapitenët El-Abbas Ali Mesud dhe Abdunnebi el-Heyali si dhe u plagosën 4 persona të tjerë prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë.
Autorësinë e sulmit në fjalë e mori përsipër organizata terroriste DEASH.