Mahmoud Mohamed Barakat Ramadan İbrahim
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Agjencia e lajmeve e Kuvajtit (KUNA) ka mohuar publikimet e një deklarate nga zyrtarët në lidhje me tërheqjen e forcave amerikane nga Kuvajti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia zyrtare e lajmeve mohoi se ajo ka publikuar një deklaratë që i atribuohet ministrit të Mbrojtjes, Sheikh Ahmad Mansour Al-Ahmad Al-Sabah, i cili tha se forcat amerikane u tërhoqën nga Kuvajti.
“KUNA abonentëve dhe lexuesve të saj u thotë se llogaria e saj në Twitter është hakuar, kështu që ajo rezervon të drejtën ligjore të ndjekë penalisht çdo palë ose person që qëndron pas lajmeve të tilla të rreme”, tha KUNA në llogarinë e saj në Twitter.
Hakimi i KUNA-s erdhi mes tensioneve në rritje midis SHBA-ve dhe Iranit, që çuan në eskalime ushtarake.
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) lëshoi dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake dhe të koalicionit në Irak.
Veprimi i Teheranit ishte hakmarrje për sulmin e dronit amerikan të javës së kaluar, që vrau komandantin e forcës elitare Quds të IRGC-së, Qasem Soleimani.
Sulmet e sotme iraniane pasuan pas armiqësive midis SHBA-ve dhe forcave të mbështetura nga Irani, që filluan në fund të muajit të kaluar me vrasjen e një kontraktori amerikan në një bazë amerikane në Irak.