Hasan Esen,Ata Ufuk Şeker
08 Korrik 2016•Përditësim: 08 Korrik 2016
VARSHAVË (AA) – NATO dhe Bashkimi Evropian (BE) nënshkruan një deklaratë të përbashkët që parasheh bashkëpunim më të gjerë kundër rreziqeve hibride, në manovrat e koordinuara, si dhe në fushën e sigurisë kibernetike dhe asaj detare, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia e nënshkrimit u realizua gjatë Samitit të NATO-s të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive që po mbahet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë.
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg e hodhi nënshkrimin në deklaratë në emër të NATO-s, ndërsa në emër të BE-së nënshkruan Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.
Stoltenberg, theksoi se deklarata e nënshkruar do ta forcojë më tepër bashkëpunimin mes BE-së dhe NATO-s duke e vlerësuar atë si vendim historik. Duke vënë në pah se siguria e BE-së dhe e NATO-s janë të lidhura me njëra-tjetrën, Stoltenberg tha se “As NATO, as BE-ja nuk mund t’i menaxhojnë vështirësitë të veçuara. Vetëm së bashku jemi ekip i fortë dhe kemi mjete për t’i mbrojtur qytetarët tanë.”
Ai, duke u shprehur se NATO-ja dhe BE-ja do t’i përdorin në mënyrën më efikase burimet duke punuar së bashku, tha se uniteti dhe bashkëpunimi mes këtyre dy organeve është bërë më i rëndësishëm se asnjëherë më parë. Sipas tij, BE-ja dhe NATO-ja kanë qëndrim të përbashkët kundrejt Rusisë. “BE-ja ka marrë vendim për sanksione ekonomike ndaj Rusisë, kurse NATO-ja ka hedhur hapat më të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes sonë të përbashkët pas përfundimit të Luftës së Ftohtë”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, me theks të veçantë u shpreh se NATO-ja dhe BE-ja gjithashtu zhvillojnë punime të përbashkëta në lidhje krizën e refugjatëve në Detin Egje.