Diyar Güldoğan
03 Shtator 2019•Përditësim: 03 Shtator 2019
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, kanë diskutuar mbi çështjet e sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Diskutim i shkëlqyer me Pompeon për çështjet aktuale të sigurisë. NATO mbështet plotësisht përpjekjet për të arritur paqen në Afganistan. Dënoj sulmet e tmerrshme të fundit dhe NATO mbetet e angazhuar për të mbështetur forcat afgane", shkroi Stoltenberg në Twitter pas një bisede me dyer të mbyllura.
Përpos Stoltenbergut, Pompeo u takua edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.
"Bisedova me Pompeon këtë mëngjes për vlerat dhe interesat e përbashkëta. Evropa dhe SHBA-të përfitojnë nga një bashkëpunim më i fortë transatlantik", shkroi Sassoli në Twitter.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Bruksel, Pompeo është takuar me liderët e NATO-s dhe BE-së për të diskutuar mbi bashkëpunimin transatlantik në çështjet ekonomike dhe të sigurisë.
Të hënën, Pompeo u takua me presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
"Jam e lumtur që mirëprita Pompeon në Bruksel. Më vjen mirë që u njohëm më mirë me njëri-tjetrin dhe biseduam me të për marrëdhëniet transatlantike mes BE-së dhe SHBA-ve", shkroi ajo në Twitter.