Ekip
03 Shtator 2019•Përditësim: 04 Shtator 2019
Qindra aktivistë të të drejtave civile të hënën sulmuan Komisionin e Lartë Britanik dhe Ambasadën e Irlandës në kryeqytetin nigerian Abuja në shenjë revolte ndaj një vendimi të gjykatës së fundit, sipas së cilës Nigeria gjobitet me 9.6 miliardë dollarë për shkak të shkeljes së kontratës së gazit me një firmë britanike, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit mbanin pankarta të ndryshme me të cilat publikisht e denoncuan aktgjykimin e 20 gushtit të Gjykatës Britanike të Biznesit dhe Pronave, të udhëhequr nga Justice Butcher. Gjykata kishte pranuar një kërkesë nga "Process & Industrial Development Limited (P&ID)" për zbatimin e aktgjykimit të vitit 2013 kundër Abuja nga një Gjykatë Qarku në Washington DC.
Vendimi gjyqësor i lejon firmës të marrë mbi 9.6 miliardë dollarë pasuri nigeriane në Britani, pas pretendimit për shkeljen e një kontrate nafte dhe gazi të vitit 2010 që përfshin P&ID dhe Abuja. Nigeria e ka hedhur poshtë vendimin si "komplot për të shkaktuar dëme ekonomike për vendin".
Protestuesit në Abuja e përshkruan aktgjykimin si një "mashtrim të madh" dhe i bënë thirrje Londrës për tërheqjen e aktgjykimit.
“Ne kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim gjyqësor. Ne kemi dalë këtu që përmes protestës tonë të tregojmë se nuk do t'i nënshtrohemi për së dyti skllavërisë. Ne nuk do t'i lejojmë disa persona të marrin pasuri që u përkasin 200 milionë nigerianëve", tha për AA, Etuk Bassey, një nga drejtuesit e protestës, duke e hedhur poshtë vendimin si "sabotim të pastër".
"Gjykimi ishte në drejtim të keqes dhe mund të shkatërrojë marrëdhëniet e ndërtuara me gjithë zemër ndër vite midis Qeverisë së Nigerisë dhe Qeverisë britanike. Ne përmes këtij mediumi shprehim pakënaqësinë tonë ndaj këtij procesi të paligjshëm dhe mungesës së njohjes së duhur për sovranitetin tonë si komb dhe interesin e popullit të Nigerisë", tha Bassey.