Beyza Binnur Dönmez,Ekip
24 Janar 2022•Përditësim: 24 Janar 2022
Aleatët e NATO-s po dërgojnë më shumë anije dhe avionë për të "rritur parandalimin dhe mbrojtjen" në Evropën Lindore ndërsa Rusia "vazhdon grumbullimin e saj ushtarak në dhe rreth Ukrainës", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Aleatët e NATO-s po vendosin forcat në gatishmëri dhe po dërgojnë anije dhe avionë luftarakë shtesë në dislokimet e NATO-s në Evropën Lindore, duke përforcuar parandalimin dhe mbrojtjen e aleatëve ndërsa Rusia vazhdon grumbullimin e saj ushtarak në dhe rreth Ukrainës", thuhet në një deklaratë të NATO-s.
Aleatët përfshijnë Spanjën, Danimarkën, Francën, Holandën dhe SHBA-në.
Sipas deklaratës, Spanja të shtunën nisi një luftanije spanjolle me rreth 200 marinarë për në Detin e Zi, ndërsa vendi po shqyrton mundësinë të dërgojë avionë luftarakë në Bullgari. Gjithashtu, Danimarka ka vendosur të dërgojë një fregatë në Detin Baltik dhe të forcojë misionin e patrullimit ajror të NATO-s në Lituani me katër avionë luftarakë F-16.
Franca ofroi të rrisë trupat e NATO-s në Bullgari, ndërsa SHBA shprehu gatishmërinë për të vendosur më shumë personel dhe pajisje në Evropën Lindore.
Holanda po vendos dy avionë luftarakë F-35 për të marrë pjesë në një mision të ngjashëm në Bullgari duke filluar nga prilli, ndërsa po vendos një anije dhe njësi tokësore në gatishmëri për Forcën e Reagimit të NATO-s.
Duke përshëndetur forcat shtesë të aleatëve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha: "NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të Aleancës".
"Ne gjithmonë do t'i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive", shtoi Stoltenberg, duke përshëndetur vendimin e aleatëve të NATO-s.
Njoftimi vjen pas komenteve të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili të premten tha se propozimet e Rusisë për marrëveshjet evropiane të sigurisë kërkojnë tërheqjen e trupave, pajisjeve dhe armëve të NATO-s nga Bullgaria dhe Rumania.
Një deklaratë e lëshuar nga zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, thotë se NATO nuk do të heqë dorë nga e drejta e saj për mbrojtje dhe hodhi poshtë kërkesat ruse sepse ato bazohen në "idenë e sferave të ndikimit në Evropë" dhe "do të krijonin anëtarë të NATO-s të klasit të parë dhe të dytë".
Ndërkohë, qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe vendosën të tërheqin familjet e diplomatëve të tyre në Kiev.
SHBA dhe aleatët e saj evropianë kanë paralajmëruar se Rusia po përgatit skenën për një pushtim të Ukrainës duke vendosur paraprakisht mbi 100.000 trupa në kufirin e saj me ish-republikën sovjetike, së bashku me dislokime të konsiderueshme të artilerisë dhe tankeve. Moska ka mohuar përgatitjen për një ofensivë ushtarake, duke thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje të rregullta.
NATO filloi të rrisë praninë e saj në Evropën Lindore pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.