Ekip
03 Dhjetor 2019•Përditësim: 03 Dhjetor 2019
Dhjetëra mijëra njerëz nga India dhe Nepali u mblodhën në tempullin hindu të Nepalit jugor të martën për të therur mijëra kafshë si pjesë e një rituali fetar i cili mbahet çdo pesë vjet, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas flijimit ceremonial të pesë kafshëve, buallit, dhisë, pulës, derrit dhe miut, në tempullin Gadhimai përgjatë kufirit Indi-Nepal, besimtarët hindu sakrifikuan kafshët e tyre, sipas besimit të tyre, "për të paqësuar perëndeshën e pushtetshme Kali".
Aktivistët e të drejtave të kafshëve, të cilët ushqyen disa nga kafshët, u ngritën kundër therjes së kafshëve, por autoritetet e tempullit vazhduan me aktivitetin e tyre duke thënë se kjo është pjesë e një tradite shekullore.
Sipas vlerësimit të Humane International Society, një organizatë për mbrojtjen e kafshëve, rreth 35.000 buaj, kryesisht të kontrabanduar nga India, u vendosën për therje.
"Skena të tilla të therjes së kafshëve janë një njollë mbi reputacionin ndërkombëtar të Nepalit. Nuk ka asnjë justifikim për këtë vrasje masive dhe me të vërtet është e trishtueshme ta përjetojmë, veçanërisht duke e ditur se tempulli ka mundur dhe duhet ta ketë mbajtur premtimin e tij për t'i ndihmuar këta kafshë", tha në një deklaratë Tanuja Basnet, drejtore e organizatës në Nepal.
Në vitin 2014, Gjykata Supreme e Indisë ndaloi që kafshët të kalonin kufirin e Nepalit. Gjykata Supreme e Nepalit gjithashtu ka drejtuar agjencitë qeveritare të zvogëlojnë sakrificën e kafshëve në festival.
Megjithatë, organizatorët thonë se ata nuk mund të ndalojnë pelegrinët "të ofrojnë kafshët e tyre për perëndeshën".
“Detyra jonë është të organizojmë festivalin. Adhuruesit nga Nepali dhe India sjellin ofertat dhe sakrifikojnë kafshët e tyre. Ata besojnë se nëse e bëjnë këtë, perëndesha do t'i plotësojë dëshirat e tyre", tha Ram Chandra Shah, kryetari i komitetit organizativ të festivalit.