Zeynep Katre Oran
02 Prill 2025•Përditësim: 09 Prill 2025
Numri i tigrave të Bengalit të rrezikuar në mënyrë kritike në Nepal është trefishuar në 12 vitet e fundit dhe ka arritur në 355 falë hapave të ndërmarrë për të mbrojtur speciet, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të "The Kathmandu Post", në regjistrimin e fundit të kryer nga qeveria thuhet se numri i tigrave të rrezikuar të Bengalit që jetojnë në rajonin Tarai të vendit është rritur në 355.
Megjithëse numri i tigrave të Bengalit është rritur në vend gjatë 12 viteve të fundit si rezultat i përpjekjeve për të mbrojtur speciet dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, zyrtarët theksojnë se mungesa e objekteve, financimit dhe pajisjeve e vë në rrezik punën e bërë për speciet.
Purushottam Wagle, një zyrtar në Parkun Kombëtar Shuklaphanta, tha se kjo rritje tani ka vënë në vështirësi burimet e kufizuara të parqeve ku mbrohen tigrat.
Wagle bëri të ditur se zhdukja me shpejtësi e tigrave për shkak të gjuetisë së paligjshme dhe shkatërrimit të habitateve të tyre të shkaktuara nga njeriu rrezikon ende speciet dhe se është thelbësore të gjendet një zgjidhje afatgjate për kujdesin e tigrave të mbrojtur.
Thuhet se në botë jetojnë më pak se 2 mijë tigra të Bengalit, 60 për qind e të cilëve janë në Indi.