Besar Ademi
29 Shtator 2016•Përditësim: 30 Shtator 2016
SHKUP (AA) – Në kuadër të Sesionit të 15-të vjeshtor të Asamblesë Paralamentare (AP) të OSBE-së, që do të fillojë ditën e nesërme në Shkup dhe do të vazhdojë deri më 2 tetor të këtij viti, sonte me një ceremoni solemne u organizua pritja e ardhjes së delegacioneve nga ana e nënkryetares së Kuvendit të Maqedonisë dhe shefe e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Renata Deskoska, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky sesion vjeshtor i AP-së të OSBE-së me titull “Përforcimi i besimit – masat e ndërtimit dhe qeverisja e mirë në rajonin e OSBE-së” do të hapet me adresimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski dhe nënkryetares Renata Deskoska, si dhe nga presidenti i AP-së së OSBE-së, Christine Muttonen, duke vijuar më pas me debate.
Çështja qendrore e debatit në ditën e parë të takimit do të përkushtohen në krizat që ndikojnë në zonën e OSBE-së, të tilla si migrimi, situata në Turqi pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut, kriza në dhe rreth Ukrainës, progresi dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat përballet Evropa Juglindore si dhe çështje specifike që kanë të bëjnë me rajonin e Mesdheut.
Në debatin e ditës së dytë të takimit në një tryezë të rrumbullakët do të adresohen përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së të gjashtë vendeve të Evropës Juglindore, të cilët do të diskutojnë në lidhje me temën “Zhvillimi i institucioneve demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Evropën Juglindore: Roli i OSBE-së”. Ndërsa në ditën e tretë do të diskutohet rreth temës “Përmirësimi i të drejtave të njeriut – qeverisja në bazë të migracionit ndërkombëtar”.
Në këtë takim pritet prania e delegacioneve nga 51 vende, pjesëmarrëse të OSBE-së nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut si dhe nga vendet partnere të bashkëpunimit në OSBE. Siç është njoftuar, deri më tani janë paralajmëruar 370 pjesëmarrës, prej të cilëve 220 deputetë.