James Tasamba
05 Dhjetor 2023•Përditësim: 05 Dhjetor 2023
Administrata ushtarake e Nigerit njoftoi se i ka dhënë fund dy partneriteteve të sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian (BE), pasi vendi shikon më shumë drejt Rusisë për bashkëpunim në mbrojtje, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme thuhet se shteti po tërhiqet nga Misioni i Partneritetit Ushtarak të Bashkimit Evropian (EUMPM) në Niger, duke revokuar në mënyrë efektive lejen për një nismë të BE-së të krijuar për të rritur kapacitetin e forcave të sigurisë të vendit të Afrikës Perëndimore.
Qeveria ka vendosur të "tërheqë privilegjet dhe imunitetet e dhëna" në kuadër të misionit të partneritetit ushtarak të BE-së dhe për këtë arsye "nuk ka asnjë detyrim ligjor" në lidhje me partneritetin në fjalë, thuhet në deklaratë.
Sipas BE-së, EUMPM u lançua në shkurt për të rritur aftësinë e Forcave të Armatosura të Nigerit për të frenuar kërcënimet terroriste.
Junta revokoi gjithashtu misionin e BE-së për ndërtimin e kapaciteteve civile të vitit 2012, i krijuar për të forcuar forcat e brendshme të sigurisë së vendit.
Këto zhvillime ndodhën në të njëjtën ditë kur një delegacion rus u takua me krerët ushtarakë të Nigerit në kryeqytetin Niamey, ku dy vendet nënshkruan një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtje.
Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministri rus i mbrojtjes, gjeneral-koloneli Yunus-Bek Yevkurov dhe ministri i Mbrojtjes i Nigerisë, gjeneral Salifou Mody.
Më parë këtë vit, BE pezulloi mbështetjen financiare dhe bashkëpunimin e sigurisë me Nigerin si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të korrikut ku u rrëzua presidenti i zgjedhur Mohamed Bazoum.
Më 3 gusht, liderët ushtarakë të Nigerit njoftuan heqjen e marrëveshjeve ushtarake me Francën, një vendim që Parisi e hodhi poshtë, duke përmendur mungesën e legjitimitetit.
Por presidenti francez Emmanuel Macron në shtator njoftoi tërheqjen e planifikuar deri në fund të vitit të rreth 1.500 trupave franceze që u vendosën në Niger si pjesë e një force rajonale kundër kryengritjeve.