Şenhan Bolelli
18 Gusht 2017•Përditësim: 19 Gusht 2017
BARCELONË (AA) – Rritet në 14 numri i personave që humbën jetën nga sulmi terrorist i mbrëmshëm në Spanjë, ndërkaq në gjithë shtetin u mbajt një minutë heshtje për nder të viktimave të këtij sulmi, raporton Anadolu Agency (AA).
Një minutë heshtje e cila u mbajt në orën 12:00 me orën lokale me thirrjen e qeverisë autonome të Katalonjës u mbajt përballë të gjitha ndërtesave të komunave dhe të objekteve zyrtare në Spanjë. Pjesëmarrja më e madhe në qëndrimin e një minutë heshtjeje u realizua në qendrën e Katalonjës, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi.
Në këtë ceremoni mori pjesë Mbreti i Spanjës, Felipe 6, kryeministri Mariano Rajoy, kryetar i Administratës Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, ministrat dhe liderët politikë. Qindra qytetarë të cilët e mbushën qendrën, gjatë qëndrimit në shoqërim të duartrokitjeve brohoritën “nuk po frikësohem."
Në anën tjetër zyrtarët e ndihmës emergjente, njoftuan se në sulmin e dytë në orët e mëngjesit në qarkun Cambrils të qytetit Tarragona, një grua e cila ishte njëra prej 7 të plagosurve, ka humbur jetën. Kështu, numri i të vdekurve nga sulmet terroriste u rrit në 14, ndërkaq më shumë se 100 persona janë të plagosur, ku disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Në anën tjetër sipas informacioneve të marra nga Konsullata e Përgjithshme e Turqisë në Barcelona, njoftohet se edhe një shtetas turk me emrin Emre Eroğlu (33) është në mesin e të plagosurve.
Në një deklaratë për gazetarin e AA-së, zyrtari i Konsullatës bëri të ditur se Eroğlu ndodhej për punë në Barcelonë dhe që gjatë sulmit iu janë thyer të dy këmbët e tij dhe se ai gjatë ditës do të hyjë në operacion.
Ndërkaq në informacionet e dhëna nga Administrata Autonome e Katalonjës bëhet e ditur se përveç 7 personave nga 120 të plagosur, të gjithë janë identifikuar. Të plagosurit dhe ata që humbën jetën nga sulmi janë nga rreth 20 kombe të ndryshme.
Sulmuesi ende nuk është kapur
Pas sulmit terrorist në Barcelonë, përgjegjësinë e të cilit e mori DEASH, policia spanjolle deri më tani ka arrestuar 3 të dyshuar.
Burimet policore njoftojnë se emri i të dyshuarit të sulmit është 17 vjeçari Musa Oukabir, shtetas i Marokut dhe i Spanjës, i regjistruar në qytetin Girona. Burimet bëjnë të ditur se po vazhdojnë punimet për kërkimin e të dyshuarit, dhe gjithashtu njoftojnë se vëllai i personit në fjalë Idris Oukabir, është njëri prej 3 të arrestuarve të dyshuar.
Të dyshuarit e sulmit të dytë të realizuar në orët e mëngjesit në lagjen Maritimo të qarkut Cambrils të qytetit Tarragona, ishin vrarë me ndërhyrjen e policisë së Katalonjës.
Ngjashëm si në Barcelonë, 5 persona të cilët me një automjet me qira kishin hyrë në mesin e njerëzve duke plagosur 7 persona, ishin neutralizuar nga policia.