Murat Ünlü
18 Gusht 2017•Përditësim: 19 Gusht 2017
PARIS (AA) - Të paktën 26 shtetas francezë janë në mesin e të plagosurve në sulmin e fundit terrorist në qytetin spanjoll të Barcelonës, raporton Agjencia Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, dënoi ashpër sulmin terrorist në Barcelonë.
Le Drian konfirmoi se të paktën 26 shtetas të vendit të tij u plagosën në sulm, duke përfshirë 11 prej tyre në gjendje kritike. Ai shtoi se do të udhëtojë në Barcelonë për të vizituar qytetarët francezë të prekur nga sulmi.
Ministri francez shtoi se është formuar një ekip për mbështetje psikologjike për viktimat e sulmit të mbrëmshëm, si dhe për familjet e tyre.
Prokuroria e Parisit nis hetimet për sulmin terrorist në Spanjë
Në një deklaratë me shkrim nga Prokuroria e Parisit njoftohet se hetimet do të zhvillohen nga Inteligjenca e Brendshme Franceze (DGSI) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Ligjore (DCPJ).
Organizata terroriste DEASH mori përgjegjësinë për sulmin e mbrëmshëm në Barcelonë. Të paktën 14 persona u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën kur një furgon në shëtitoren e Las Ramblas në qendër të Barcelonës shtypi një grup këmbësorësh.