Selen Temizer,Mohamad Misto
16 Nëntor 2016•Përditësim: 16 Nëntor 2016
DAMASK (AA) - Popullata në qarkun Duma të Damaskut po përpiqet të sigurojë jetesën duke i shitur në tregun e dorës së dytë orenditë e nxjerra nga shtëpitë e rrënuara si pasojë e sulmeve ajrore të regjimit të Bashar al-Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).
Qarku Duma në Damask prej më shumë se tre vitesh gjendet nën rrethimin e forcave të regjimit. Të privuar nga nevojat themelore për jetë, banorët shesin orenditë e nxjerra nga shtëpitë e rrënuara nga sulmet ajrore në tregun e dorës së dytë të cilin e kanë hapur në jug të qarkut.
Tregu i cili kur u hap përmbante vetëm disa gjësende, tani është zgjeruar në sipërfaqe prej 1.700 metrash katrorë.
Krahas orendive të nxjerra nga gërmadhat, popullata ka filluar të shesë edhe orendi që sjellin nga shtëpitë e tyre. Duke filluar nga pajisjet e kuzhinës e deri te hekuri, nga lavatriçja deri të rrotat, gjësendet që shiten tërheqin blerës me çmimet e ulëta.
Njëri nga shitësit në treg, Adnan Ebu Fahid, tha se shumica e prodhimeve në shtije janë orendi të dëmtuara. Sipas tij, blerësit i plotësojnë orenditë e dëmtuara në shtëpitë e tyre me ato që i blejnë këtu.