Adel Ömeragiç
10 Qershor 2016•Përditësim: 11 Qershor 2016
PODGORICË (AA) – Samit i ministrave të financave, guvernatorëve dhe drejtorëve të drejtorive tatimore nga rajoni, të cilin e organizon javorja NIN, filloi sot në Budvë të Malit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Temë e këtij samiti është “Stabiliteti financiar i rajonit në rrethanat e ndryshuara globale”. Ministrat e financave të Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë diskutuan për temën “Stabilizimi i financave publike pa sakrifikuar rritjen ekonomike”.
Shumica e ministrave ishin dakord se pa zbatuar reforma, që përfshijnë uljen e borxhit publik dhe zbatimin e masës së kursimit, nuk do të jenë të dukshme rezultatet në sistemet fiskale të shteteve.
Avdulla Hoti, ministri kosovar i Financave duke folur për borxhin publik, tha se Kosova si shtet i ri ka trashëguar borxh të madh. “Por, borxhi jonë është 13 për qind të PBB-së. Vitin e kaluar kishim rritje solide ekonomike, dhe ana e mirë e rritjes ekonomike është se për herë të parë kalon në rritje ekonomike që vjen nga sektori privat. Kur janë në pyetje rrogat në sektorin publik, kemi vendosur se mund të rriten vetëm në momentin kur ekziston rritje ekonomike”, tha Hoti.
Ministri i Financave i Serbisë, Dushan Vujoviç, porositi se duhet mësuar se kursimi, është një hap drejt kapërcimit të krizës. “Tani jemi në fazën që të kalojmë mes dy ndërtesave, njëra e cila shënon të kaluarën dhe tjetra e cila është nisur drejt të ardhmes dhe prosperitetit më të mirë”, vlerësoi Vujoviç duke folur për pozitën momentale ekonomike të Serbisë.