İdris Okuducu
07 Korrik 2017•Përditësim: 07 Korrik 2017
ERBIL (AA) - İDRİS OKUDUCU
Beshar Kiki, presidenti i Kuvendit Provincial të Mosulit në Irak, tha se shtatë mijë civilë kanë humbur jetën në qytetin e Mosulit që nga viti 2014 kur qyteti u pushtua nga organizata terroriste DEASH.
"Militantët e DEASH-it brenda dy viteve kanë ekzekutuar rreth pesë mijë civilë si rezultat i praktikave të tyre arbitrare pas marrjes së Mosulit. Ndërkaq, dy mijë civilë kanë humbur jetën gjatë operacioneve ushtarake", tha Kiki në një bisedë për Anadolu Agency (AA).
Kreu i Kuvendit Provincial të Mosulit paralajmëroi se shifra e viktimave mund të rritet në rast të vazhdimit të operacioneve për çlirimin e pjesës perëndimore të qytetit dhe mosnxjerrjes së njerëzve nga rrënojat.
Duke folur për shkatërrimet e mëdha që kanë ndodhur në Mosul, Kiki theksoi:
"Ka shkatërrime të mëdha në të dy pjesët e qytetit. Fatkeqësisht, si pasojë e luftimeve intensive, 80 përqind e pjesës jugore dhe 35 përqind e pjesës lindore janë dëmtuar. Në qytet nuk ka mbetur infrastrukturë, rrugë dhe ura. Pesë ura që lidhin dy pjesët e qytetit janë në gjendje të papërdorshme. Mosuli i Vjetër, ku gjenden rrugicat e ngushtat është tërësisht me rrënoja".
"45 mijë të plagosur janë trajtuar"
Në ndërkohë, drejtori i Zyrës së Shëndetësisë në Erbil, Saman Berzenxhi, theksoi se pjesa më e madhe e civilëve dhe ushtarëve të plagosur në Mosul janë trajtuar në spitalet në rajonin kurd.
"Në gjashtë muajt e parë të operacionit, në spitalet tona janë trajtuar 45 mijë të plagosur", tha Berzenxhi, duke shtuar se nga Mosuli vazhdojnë të vijnë të plagosur dhe se kjo shifër rritet çdo ditë.
"Nevojitet të paktën buxhet prej 50 miliardë dollarësh"
Për rindërtimin e Mosulit pas pastrimit nga organizata terroriste DEASH nevojitet një buxhet i madh. Kështu thekson Nexhibe Nexhib, kryetarja e Komisionit për Rindërtimin e Rajoneve të Shkatërruara në Parlamentin e Irakut.
"Shkatërrim ka në qytetin e Mosulit dhe pothuajse në të gjitha rajonet nën administrimin e tij. Për vlerësimin e dëmeve është caktuar një organizatë ndërkombëtare. Sipas shifrave jozyrtare, nevojitet buxhet prej të paktën 50 miliardë dollarësh për rindërtimin e Mosulit", tha Nexhib.
Ndërkaq, ministri i Migrimit i Irakut, Xhasim Al Xhaf, dje njoftoi se numri i civilëve që kanë braktisur Mosulin nga 17 tetori i vitit 2016 me nisjen e operacionit të çlirimit ka shkuar në 920 mijë.
Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se rreth 20 mijë civilë kanë ngelur të bllokuar në Mosulin e Vjetër në pjesën perëndimore të qytetit, që gjendet nën kontrollin e DEASH-it.