Mahmoud Barakat
18 Nëntor 2019•Përditësim: 18 Nëntor 2019
Qeveria e Pajtimit Kombëtar të Libisë (QPKL) e pranuar nga OKB-ja akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për kryerjen e një sulmi ajror që shkaktoi vdekjen e 7 personave në jug të Tripolit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë e QPKL tha se sulmi ajror shënjestroi një fabrikë të biskotave në zonën Wadi Rabie, duke vrarë dy libianë dhe pesë punëtorë të huaj si dhe duke plagosur 15 të tjerë.
Komanda ushtarake e QPKL-së në një deklaratë tha se "sulmi ajror u krye nga avionët pa pilot të Emirateve".
Nuk ka asnjë koment nga EBA mbi akuzat.
Forcat me qendër në lindje të Libisë të lidhura me komandantin ushtarak Khalifa Haftar kanë filluar një fushatë në prill për të marrë Tripolin nga QPKL-ja.