Mustafa Deveci
08 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Edhe sot nga qyteti Irpin i cili ndodhet në afërsi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, vazhdon evakuimi i civilëve pasi Rusia shpalli një armëpushim të përkohshëm në 5 qytete të Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Përpjekjet e ukrainasve nën reshjet intensive të borës për të kaluar në Kiev dhe që nga aty në zona më të sigurta paraqesin para syve ndikimin e luftës mbi civilët.
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të përkohshëm i cili filloi në orën 10:00 me orën lokale, civilë të shumtë u dyndën në urën e cila ndodhet mes Kievit dhe Irpin dhe e cila u hodh në erë nga Ukraina për të parandaluar kalimin e rusëve.
Ukrainasit përfshirë të moshuar, fëmijë dhe gra detyrohen të presin nën urën e shembur për shumë minuta nën kushtet e rënduara të motit si pasojë e reshjeve të borës.
Civilët të cilët mbërrijnë në zonë duke ecur, kalohen në anën përballë me vendkalimet e improvizuara prej druri nën urë e cila u shkatërrua nga forcat ukrainase.
Të sëmurët, fëmijët dhe të moshuarit, përballen me vështirësi teksa kalojnë me vendkalimin prej druri të formuar mbi lumin në rajon. Ndërkohë, reshjet e borës gjatë kalimit të civilëve e bëjnë edhe më të vështirë evakuimin.
Barra e ukrainasve të cilët janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe kujtimet e tyre, rëndohet edhe më tej për shkak të kushteve të procesit të evakuimit.
Disa nga të evakuuarit shpërthejnë në lot duke u dorëzuar përballë stresit dhe lodhjes që kanë përjetuar.
Ndërkohë, forcat ukrainase kryejnë kontroll të pasaportave ose kartave të identitetit për personat e evakuuar me qëllim për të parandaluar që "sabotatorët rusë" të përfshihen në mesin e civilëve dhe të kalojnë në anën e Kievit.
Civilët që pas një udhëtimi të vështirë kalohen në anën tjetër të rrugës përballë, dërgohen më pas me ambulancat që presin këtu për në rajonet ku ndodhen autobusët.
Më pas, civilët hipin nëpër autobusë dhe nga këtu dërgohen në zona më të sigurta.