Ekip
27 Prill 2016•Përditësim: 27 Prill 2016
SANTO DOMINGO (AA) – Kombet e Bashkuara (KB) i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndajnë 73 milionë dollarë (rreth 64.6 milionë euro) për rreth 350 mijë persona të prekur nga tërmeti në Ekuador, raporton Anadolu Agency (AA).
Diego Zornila, koordinator i përhershëm i KB-ve për Ekuadorin, bëri thirrje për ndihmë pas tërmetit prej 7.8 ballë sipas shkallës së Rihterit i cili më 16 prill shkaktoi katastrofën më të madhe humanitare që nga tërmeti në Haiti në vitin 2010.
“Kemi kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare një shumë prej 73 milionë dollarësh për zgjidhjen e nevojave prioritare humanitare, për të ndihmuar Qeverinë e Ekuadorit”, tha Zornila. Ai shtoi se KB-të kanë tërhequr shtatë milionë dollarë (6.2 milionë euro) nga fondi qendror si ndihmesë fillestare për nevoja emergjente dhe mobilizim të resurseve.
“Këto mjete do të shërbejnë për mbulimin e nevojave prioritare, të cilat i kemi vërejtur në ditët e para pas tërmetit. Gjatë dy javëve të ardhshme do të bëjmë vlerësime të reja”, tha Zornila.