Mustafa Keleş
25 Gusht 2016•Përditësim: 25 Gusht 2016
OKB (AA) – Paneli i ekspertëve të cilin Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Ban Ki-moon e ka formuar për zbulimin e përdoruesve të armëve kimike, ka zbuluar se në dy zona regjimi ka përdorur armë kimike, ndërsa në një zonë tjetër armë kimike ka përdorur DAESH-i, raporton Anadolu Agency (AA).
Ka përfunduar punimet paneli i pavarur i ekspertëve i formuar nga Sekretari i Përgjithshëm, i cili sipas rezolutës 2235 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkohet t’i zbulojë përdoruesit e armëve kimike.
Në deklaratën nga Zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, theksohet se raporti i cili përmban zbulimet e panelit të formuar për t’i hetuar nëntë sulme në Siri vitin e kaluar, është prezantuar para KS-së.
Në deklaratë njoftohet se do të publikohet edhe për opinionin publik pas mbledhjes së KS të OKB-së më 30 gusht.
Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Samantha Power, në një deklaratë për gazetarët në lidhje me raportin, theksoi se paneli i pavarur ka zbuluar se regjimi dhe DAESH-i kanë përdorur armë kimike dhe se KS i OKB-së si bashkësi, duhet të mundësojë që përgjegjësit e sulmeve të japin llogari.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Përhershëm i Francës në OKB, Alexis Lamek, në deklaratën për gazetarët në selinë e OKB-së, theksoi se sipas raportit shihet që armë kimike kanë përdorur regjimi i Sirisë dhe DAESH-i, duke shprehur më tej nevojën që KS i OKB-së të veprojë në lidhje përgjegjësit e këtyre sulmeve.
Sipas të informacioneve të siguruara, fajtorët e gjashtë prej nëntë sulmeve që i ka hetuar komisioni nuk janë zbuluar. Nga ana tjetër, është zbuluar se në dy zona armë kimike ka përdorur regjimi, ndërsa në një zonë tjetër organizata terroriste DAESH.
Sipas raportit, më 16 mars 2015 helikopterët e regjimit kanë hedhur gaz klorin në Talmenes të prefekturës së Idlibit, dhe më 12 prill 2015 në Sarmin, ndërkohë që autori i sulmit me gaz mustardë më 21 gusht 2015 në Marea është zbuluar të ketë qenë DAESH.
Në panelin e ekspertëve të kryesuar nga argjentinasja Virginia Gamba, marrin pjesë edhe Adrian Neritani nga Shqipëria dhe Eberhard Schanze nga Gjermania.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), në raportet e mëparshme kishte zbuluar se gazra helmues janë përdorur disa herë dhe në mënyrë sistematike gjatë luftimeve, mirëpo, përgjegjësit e këtyre sulmeve deri më sot nuk janë gjetur.