Fatih Erel
08 Shkurt 2016•Përditësim: 08 Shkurt 2016
GJENEVË (AA) – Komisioni i pavarur hetimor i Kombeve të Bashkuara në Siri, në raportin e fundit thekson se forcat e ushtrisë siriane, organizata terroriste DAESH dhe El Nusra, përmes torturave dhe vrasjeve masive ndaj të burgosurve në burgje po kryejnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti i Komisionit të OKB-së ka të bëjë me abuzimin sistematik dhe vrasjen e të burgosurve në Siri gjatë periudhës prej 10 mars 2011 deri më 30 nëntor 2015 dhe është përgatitur në bazë të dëshmisë së 621 personave.
Duke treguar për ekzekutimet dhe zhdukjen masive të njerëzve gjatë torturave në burgjet zyrtare dhe jozyrtare në Siri, në raport thuhet se të burgosurit po dërgohen në burgje të përkohshme larg nga frontet e luftës dhe syve të opinionit ku po abuzohen dhe vriten në mënyrë sistematike.
"Regjimi sirian ka kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit me vrasjet masive, abuzimet, përdhunimet, paraburgimet, rrëmbimet dhe krimet e tjera kundër njerëzimit", theksohet në raport.