Ömer Faruk Yıldız
28 Qershor 2022•Përditësim: 29 Qershor 2022
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se numri i civilëve që kanë humbur jetën si pasojë e luftës civile në Siri ka arritur në afërsisht 307 mijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e publikuar nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, janë publikuar statistikat e përditësuara për viktimat civile që kanë ndodhur si rezultat i luftës ndërmjet 1 marsit 2011, kur filloi lufta në vend dhe 31 marsit 2021.
Në raport thuhet se në statistikat e mëparshme të OKB-së janë zbuluar 143.350 viktima civile ndërsa 163.537 civilë kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve në të njëjtën periudhë kohore si rezultat i metodave të reja statistikore të përdorura.
Me viktimat e reja, numri i viktimave civile në 10 vitet që nga fillimi i luftës është përditësuar në 306.887.
Më tej bëhet e ditur se kjo shifër korrespondon me 1.5 për qind të popullsisë siriane dhe krahasuar me atë ditë, 83 civilë kanë vdekur çdo ditë si pasojë e konfliktit në 10 vitet e fundit.
Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet tha se shifrat e publikuara përfaqësojnë jo vetëm të dhëna numerike, por edhe jetë të humbura. “Këto shifra nuk përfshijnë numrin e madh të civilëve që humbën jetën për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor, ushqimit, ujit të pastër dhe nevojave të tjera bazë njerëzore", tha ajo.
"Ekziston rreziku që vdekjet e civilëve të vazhdojnë në vend për sa kohë që lufta nuk ka përfunduar", tha Bachelet.