Servet Günerigök
06 Mars 2020•Përditësim: 06 Mars 2020
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, shpreson se marrëveshja e fundit mes Turqisë dhe Rusisë do t'u japë fund armiqësive në veriperëndim të Sirisë dhe do të mbrojë civilët, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sekretari i Përgjithshëm shpreson se kjo marrëveshje do të çojë në një ndërprerje të menjëhershme dhe të qëndrueshme të armiqësive që siguron mbrojtjen e civilëve në veriperëndim të Sirisë, të cilët veçse kanë kaluar nëpër vuajtje të mëdha", tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Duke iu referuar udhërrëfyesit të miratuar për procesin e paqes në Siri, OKB gjithashtu bëri thirrje për një kthim në procesin politik të lehtësuar nga OKB, i mandatuar me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit.
Deklarata erdhi disa orë pasi Ankaraja dhe Moska ranë dakord për një armëpushim efektiv që nga mesnata e së enjtes pas përleshjeve të fundit midis ushtrisë turke dhe forcave të regjimit sirian që lanë më shumë të vdekur nga të dy palët.
Si pjesë e marrëveshjes, në Idlib do të përfundojnë të gjitha aktivitetet ushtarake dhe një korridor sigurie do të vendoset 6 kilometra në veri dhe në jug nga autostrada M4.
Sipas marrëveshjes, me 15 mars gjithashtu do të fillojnë patrullime të përbashkëta turko-ruse përgjatë autostradës M4 nga vendbanimi Trumba, 2 kilometra në perëndim të Saraqib, deri në vendbanimin e Ain-Al-Havr.