Nëntë muaj më parë, fotografia e një gruaje ukrainase e shkrepur nga Anadolu Agency (AA) u bë kryefjalë në mediat ndërkombëtare. Ajo u theksua si një simbol i gjendjes së rëndë të Ukrainës kundër “operacionit special ushtarak” të Rusisë.
Fotografia është shkrepur nga fotoreporteri i AA-së, Wolfgang Schwan, në qytetin Chuhuiv në rajonin Kharkiv të Ukrainës lindore, një ditë pasi Rusia njoftoi “operacionin” e saj kundër Ukrainës.
Shumë gazeta ndërkombëtare, përfshirë ‘The Guardian’, ‘The Times of Londor’, ‘The Sun’, ‘The Independent’ dhe ‘Bild’, e përdorën fotografinë në faqet e tyre të para. Fotografia u përdor edhe nga shumë kanale të tjera ndërkombëtare të lajmeve, veçanërisht nga ‘CNN’ dhe ‘BBC’.

Nëntë muaj më vonë, gruaja ukrainase Olena Kurilo dhe fotoreporteri Schwan në një intervistë ekskluzive për AA diskutuan atë që ndodhi në muajin shkurt, si dhe situatën aktuale në Ukrainë.
“Nuk ndodhi rastësisht”
Duke kujtuar raketën që goditi ndërtesën e banimit ku ajo jetonte, Kurilo tha se si pasojë e shpërthimit ajo ishte e mbuluar nga pluhuri, ndërsa sytë e saj ishin të mbushura me copëza xhami. Ajo theksoi se kishte nevojë për një operacion sa më shpejt të ishte e mundur.
“Më duhej një operacion dhe klinikat në Ukrainë nuk mund të më pranonin, por falë gazetarëve dhe gazetave britanike arrita të shkoj në Poloni dhe bëra tre operacione. Do të hyj edhe në një operacion këtu (në Londër) dhe ka mundësi që të rifitoj shikimin deri në 50 për qind”, njofton Kurilo.
Më tej, ajo theksoi se situata e saj nuk ndodhi rastësisht, pasi tani ajo ka një mision të ndihmojë njerëzit dhe Ukrainën.

“Ndodhi që u bëra fytyra e luftë së Ukrainës, por e kuptova që nuk ndodhi thjesht rastësisht. E kuptova që kjo ishte me qëllim dhe se kisha një mision. Misioni im tani është të ndihmoj njerëzit. Është e vërtetë se unë kryesisht flas për Ukrainën, sepse e kuptoj se tani detyra ime është edhe të ndihmoj fitoren e Ukrainës, të ndihmoj vendin tim dhe do të përdor zërin tim sa më shumë që të mundem”, shprehet Kurilo.
Kurolo tha se është tronditur kur burimet e mediave ruse pretenduan se ajo që i ndodhi asaj nuk ishte e vërtetë dhe se fotografia e saj ishte e “një aktoreje pesë vite më parë”.
“Në fillim isha e tronditur, por më pas fillova të buzëqesh duke parë të gjitha këto gjëra. Ata thoshin se jam oficere. Ata po përpiqeshin të gjenin dhe përdornin fotografi të grave të tjera, por ato aspak nuk më ngjanin. Kur më thirrën për intervistë, pasi propaganda ruse tha se isha kapur dhe kisha pranuar se jam oficere, realizuam një lajm për të sqaruar situatën”, tha Kurilo.
“Prioritetet ndryshuan”
Më tej, Kurilo theksoi se prioritetet e saj kanë ndryshuar dhe se njerëzit që dikur ishin afër tyre sot janë larguar.

“Sepse ata nuk na mbështesnin. Ata ishin shumë ukrainas në Rusi ose njerëz që kishin të afërm dhe disi ndodhi që të jemi në dy anë të ndryshme. Por unë shpresoj që një ditë ata të kuptojnë se çfarë është e rëndëishme në jetë dhe kjo është vetë jeta dhe liria”, tha Kurilo.
Duke treguar se jeta e saj ka ndryshuar tërësisht pas luftës, Kurilo gjithashtu tha se kurrë nuk e kishte menduar se diçka e tillë mund të ndodhë dhe se këto lloj ngjarjesh ndryshojnë edhe “gjëra të tjera”.
“Më parë, kishte vlera të ndryshme, si familja dhe puna. Tani prioritetet e mia kanë ndryshuar shumë. Ajo që kam vënë në radhë të parë janë qeniet njerëzore, mbështetja dhe jeta njerëzore”, theksoi Kurilo.
“Filloi”
Kurilo u shpreh se para pushtimit, e kuptonte se Putini nuk po bënte shaka në lidhje me pushtimin e Ukrainës ndërsa ndiqte lajmet, por se ajo kurrë nuk e besonte se do të ndodhte.
“Ditën kur në fakt dëgjova bombardimet, fjalët e mia ishin: ‘Filloi’. Deri në fund, ne donim të besonim se kjo ishte thjesht një ëndërr e keqe dhe nuk mund të besonim se diçka e tillë mund të ndodhte në shekullin e 21-të në Evropë”, tha Kurilo.
Për më tepër, ajo vuri në dukje se nuk kishte “absolutisht asnjë dyshim” që nga momenti i pushtimit se Ukraina do ta fitonte luftën, duke ia atribuuar këtë motivimit dhe “shpirtit të pathyeshëm të popullit ukrainas”.
Duke komentuar situatën sot, Kurilo nënvizoi gjithashtu se Ukraina “po qëndron midis Putinit dhe Evropës”.
“Vetëm nëse fitojmë, atëherë Putini nuk do të shkojë më tej, sepse ai nuk do të ketë burimet për ta bërë këtë. Kjo fitore është e rëndësishme për të gjithë dhe besoj se njerëzit e kuptojnë këtë. Fitorja jonë kundër Putinit do të jetë fitorja e gjithë botës”, tha Kurilo.
“Shumëçka varet edhe nga partnerët tanë që po na mbështesin. Ne me siguri kemi nevojë për më shumë armë për të luftuar. Sa më shumë armë të marrim, aq më shpejt do të arrijmë fitoren dhe aq më shpejt do të vijë paqja në tokat tona”, shtoi ajo.