Gorana Jakovljevic
13 Korrik 2022•Përditësim: 13 Korrik 2022
Shirat mosun në Pakistan kanë vazhduar të kërcënojnë popullatën në shumë qytete të përmbytura, përfshirë qytetin Rawalpindi në provincën Punjab, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë qytet rrugët janë të përmbytura, makinat janë të bllokuara nga uji ndërsa disa banorë po tentojnë të qarkullojnë me makina, motoçikleta dhe në këmbë.
Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike të Pakistanit, 87 për qind më shumë shi ra gjatë këtij sezoni të shirave mosun sesa vitin e kaluar.
Më shumë janë prekur provinca jugperëndimore e Baloçistanit dhe rajoni verior i Gilgit-Baltistanit, ku javën e kaluar reshjet e shiut dhe përmbytjet shkatërruan ura dhe shtëpi, shkaktuan rrëshqitje dheu dhe shkëputën qytetet dhe fshatrat nga pjesa tjetër e vendit.
Nga 11 qershori deri më 11 korrik, 147 persona, përfshirë 88 gra dhe fëmijë, humbën jetë në aksidente të shkaktuara nga reshjet e mëdha në Pakistan.
Meteorologët paralajmërojnë vazhdimin e reshjeve deri më 19 korrik.