Yusuf Hatip
11 Qershor 2017•Përditësim: 11 Qershor 2017
ISLAMABAD (AA) – Pakistani ka mohuar informacionet e disa mediave të huaja të cilat thanë se ky vend do të dërgojë ushtrinë në Katar, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit tha se pretendimet për dërgimin e ushtrisë në Katar janë tërësisht të fabrikuara dhe të pabaza.
"Lajmet e tilla janë pjesë e fushatës së projektuar për të shkaktuar mosmarrëveshje mes Pakistanit dhe vendeve vëllazërore të Gjirit”, thuhet në deklaratë.
Disa media të huaja raportuan se Pakistani do të dërgojë në Katar 20.000 ushtarë.
Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, tha më herët se vendi është i gatshëm të ndërmjetësojë në mënyrë që të zgjidhet kriza diplomatike mes Katarit dhe disa vendeve arabe.
Arabia Saudite, EBA, Bahreini, Egjipti dhe Jemeni më 5 qershor njoftuan se kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, të cilin e akuzojnë "për destabilizimin e rajonit".
Bahreini, Arabia Saudite dhe EBA kanë mbyllur hapësirën ajrore për Katarin dhe shtetasit e këtij vendi i urdhëruan që të largohen nga kufiri i tyre në afat prej 48 orëve.
Përveç kësaj, Arabia Saudite ka mbyllur edhe kufirin tokësor me Katarin.