Ahmet Gürhan Kartal
26 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Parlamenti i Britanisë së Madhe miratoi të hënën vonë një propozim, i cili mundëson një votim për alternativat e procesit të Brexit-it, me çka Parlamenti merr kontrollin nga qeveria të procesit për dalje nga Bashkimi Evropian (BE), raportonn Anadolu Agency (AA).
Në një akt i cili cilësohet si rebelim kundër qeverisë për qasjen e saj të procesit Brexit, tre ministra qeveritarë deponuan dorëheqjet e tyre pak pas votimit të amendamentit në fjalë.
Ministri i Jashtëm dhe i Komonuelthit, Alistair Burt, përgjegjës për Lindjen e Mesme, ministri për Biznes dhe Industri, Richard Harrington, dhe ministri i Shëndetësisë, Steve Brine janë emrat e ministrave të dorëhequr.
Për amendamentin në fjalë votuan 327 deputetë ndërsa kundër ishin 300.
Kreu i Laburistëve, Jeremy Corbyn, përshëndeti veprimin e deputetëve për marrjen e kontrollit, pasi siç tha, “atje ku qeveria dështon, Dhoma e Ulët e ka patjetër të korrë sukses”.
Qeveria nga ana e saj u shpreh e zhgënjyer nga miratimi i amendamentit, pasi siç tha në një kumtesë ka bërë një zotim të qartë se do të sigurojë shumicën parlamentare këtë javë për dalje nga "qorrsokaku".
"Ky amendament, çrregullon balancin midis institucioneve tona demokratike dhe njëherit vendos një precedent të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm për të ardhmen", tha Departamenti i Brexit-it.
Pritet që Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe, të mërkurën të debatojë për mundësitë e ndryshme, përfshirë edhe revokimin e Nenit 50, një referendum të dytë dhe disa mundësi tjera mbi Brexit-in.
Para votimit të djeshëm, kryeministrja britanike Theresa May tha se ende nuk e ka "mbështetjen e mjaftueshme" për ta parashtruar sërish çështjen e Brexit-it në Parlament, megjithatë tha se shpreson që largimi nga Unioni të bëhet më 29 mars.
Britania duhet të largohet nga BE-ja më 12 prill, përveç nëse plani i largimit nga Unioni nuk miratohet apo nëse nuk arrihet një aranzhman i ri.