Sibel Vezaj
20 Tetor 2016•Përditësim: 20 Tetor 2016
PRISHTINË (AA)- Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë sot u organizua një garë vrapimi prej 5 mijë metrash e organizuar nga departamenti civil-ushtarak të Forcës Ushtarake të Kosovës, në kuadër të ushtrimit fushor "Shqiponja 5". Në garë morën pjesë rreth 300 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë nga FSK, Garda Nacionale e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e fillimit të këtij aktiviteti, ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli foli rreth bashkëpunimit mes FSK-së dhe Gardës Nacionale të Ajovës dhe theksoi se përveç angazhimeve profesionale, nëpërmjet këtij aktiviteti rekreativo-sportiv do të jepet edhe një kontribut për paqe.
“Këto dy forca përveç aktiviteteve ushtarake siç janë ushtrimet e përbashkëta fushore, trajnimet, arsimimi ushtarak zhvillojnë edhe aktivitete të ndryshme siç janë ato kulturore, rekreative dhe sportive. Kështu gjatë kësaj vizite të ushtarakëve nacionale të Ajovës përveç vizitës në qendrën memoriale në Prekaz, vizitës së qytetit të Prizrenit, ndeshjes së futbollit është paraparë edhe ky kros 5 kilometërsh me moton 'Së bashku për paqe', tha Demolli.
Në anën tjetër, gjeneral Major Timothy Orr, komandant i Gardës Nacionale të Ajovës u shpreh se ndjehet i nderuar që janë të pranishëm në këtë garë, duke theksuar se do të vazhdojnë të thellojnë partneritetin me FSK-në. “Fuqia e shteteve tona është në zemrat tona. Faleminderit për pranimin dhe gjithë çka bëni dhe ju dëshiroj një kros shumë të mirë”, tha Orr.
Pas fjalimeve vrapimi filloi nga Sheshi “Skënderbeu’’ dhe vazhdoi deri tek rreth rrotullimi afër shkollës së mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli’’ në Prishtinë. Me këtë rast shumë rrugë të kryeqytetit ishin të mbyllura për komunikacion.
Në fund fituesi i garës nga meshkujt u shpall ushtari i FSK-së, Jasmin Zverko, i cili u shpreh se ndihet i lumtur për fitoren."Këto janë gara të rëndësishme, ku kemi vrapuar së bashku e kemi biseduar. Unë vazhdimisht jam aktiv dhe merrem edhe me futboll”, ka thënë ai.
Kurse Gentiana Kerpusi, ushtare e FSK-së ishte fituese e garës nga femrat. “Unë merrem me sport dhe jam marrë edhe me karate prej 15 vitesh. Kjo nuk është gara e parë që marr pjesë, por sidoqoftë secila garë e ka rëndësinë e vet”, tha Kerpusi.
Fituesit e tri vendeve të para të garës së vrapimit të oficerëve dhe nënoficerëve dhe ushtarëve ishin Jasmin Zverko, Valdet Brahimi dhe Adnan Ademi, të gjithë ushtarë të FSK-së.
Kurse nga femrat e para ishte Gentiana Kerpusi, ushtare e FSK-së, e dyta Sergent Stefany Stock, ushtare amerikane, dhe e treta Behare Bytyrqi, ushtare e FSK-së.
Pjesëmarrësit amerikanë të kësaj gare do të qëndrojnë në Kosovë edhe dy javë, ku do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme në kuadër të ushtrimit fushor "Shqiponja 5".