Ekip
01 Mars 2022•Përditësim: 01 Mars 2022
Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez, ka deklaruar se lufta ruse kundër Ukrainës ka prishur paqen botërore dhe dhuna ka kushtuar jetë njerëzish, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Paqja e botës është e shqetësuar nga pushtimi ushtarak i Federatës Ruse në Ukrainë. Evropa preket derisa fantazma e luftës ngrihet sërish. Përsëri dhuna e luftës shkatërron jetë njerëzore”, tha Fernandez gjatë hapjes së seancës së 140-të legjislative të Kongresit Kombëtar të Argjentinës.
Ligjvënësit argjentinasë mbajtën një minutë heshtje për të vrarët gjatë konfliktit dhe për ata që humbën jetën nga koronavirusi i ri (COVID-19).
Duke folur për efektin e luftës, Fernandez bëri thirrje për paqe.
“Argjentina është pjesë e asaj bote dhe nuk mund t’i shpëtojë kontekstit në të cilin është zhytur. Lufta, në një botë që është globalizuar, në mënyrë të pashmangshme gjeneron pasoja për vendin tonë”, tha Fernandez.
Që kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës filloi të enjten e kaluar, Moska është përballur me dënime nga komuniteti ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në që kanë zbatuar një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Fernandez po ashtu diskutoi një marrëveshje për ri-pagimin e borxhit që u arrit së fundmi me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Ne po bëjmë një hap të ri në marrëveshjen me FMN-në, bëhet fjalë për një borxh të madh dhe pa një marrëveshje nuk do të jemi në gjendje të ndërtojmë siguri në Argjentinë. Marrëveshja që arritëm me FMN-në është më e mira që mund të arrihet dhe qeverisja është një ushtrim përgjegjësie”, tha Fernandez.
Ai theksoi se marrëveshja e re është një ri-financim i borxhit ekzistues, duke shtuar se “pagesat do të fillojnë në vitin 2026 dhe do të përfundojë në vitin 2034”.
Duke iu referuar reformave të pensioneve dhe sovranitetit të Argjentinës, Fernandez tha se kjo marrëveshje “nuk parashikon kufizime që ndikojnë në zhvillimin tonë”.
Ai shtoi se këtë javë “është në duart e ligjvënësve që të shqyrtojnë miratimin e marrëveshjes me stafin e FMN-së”.
Por Fernandez kritikoi administratën e mëparshme të Mauricio Macri-t për nënshkrimin e borxhit të vitit 2018, duke theksuar se, “Argjentinasit kanë të drejtë të dinë se kush ishte përgjegjës për kaq shumë gabime”.
Këto komente çuar disa ligjvënës të opozitës të largohen nga seanca.
Në shtator të vitit 2018, Argjentina mori kredinë më të madhe në histori nga FMN-ja, përkatësisht 57 miliardë dollarë, për shkak të një krize të thellë ekonomike.
Presidenti argjentinas po ashtu theksoi një sërë projektesh investimi që synojnë përmirësimin e shërbimeve të transportit, arsimit dhe gjendjes së rrugëve kombëtare.
Ai u zotua se do të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar dhe bëri thirrje për “reformë gjyqësore” në Argjentinë.
Fernandez po ashtu diskutoi të drejtat e pakicave në kombin e Amerikës së Jugut, duke këmbëngulur se duan “të respektojnë të drejtat e të gjithëve”, duke iu referuar komuniteteve indigjene dhe me aftësi të kufizuara dhe atyre me identitete të ndryshme gjinore.