Dilan Pamuk
11 nëntor 2020•Përditësim: 12 nëntor 2020
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka vizituar ushtarët që u plagosën në Malësië e Karabakut midis përleshjeve të armatosura disa javore që përfunduan me një marrëveshje paqësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Aliyev, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Mihriban Aliyeva, falënderoi ushtarët për përpjekjet e tyre.
Ai tha se "Lufta e Dytë e Karabakut" do të regjistrohet në histori si fitorja epike e Azerbajxhanit.
Duke theksuar se populli është duke festuar nëpër rrugë, Aliyev tha se, "Kjo fitore po festohet edhe në Turqi. Është e natyrshme. Sepse ne jemi një komb, dy shtete".
"Unë falënderova vëllain tim (presidentin turk) Recep Tayyip Erdogan shumë herë. Mbështetja shpirtërore dhe politike e Turqisë luajti një rol të rëndësishëm në fitoren tonë. Populli azerbajxhanas vlerëson shumë mbështetjen dhe solidaritetin që Turqia e ka dhënë", shtoi Aliyev.
Më tej, Aliyev tha se një epokë e re ka filluar në Azerbajxhan. Ai shtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për shërimin e ushtarëve të plagosur, duke u siguruar atyre një jetë të mirë më pas, si dhe duke zgjidhur problemet e familjeve të dëshmorëve.
Marrëdhëniet midis republikave ish-sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit.
Përleshjet shpërthyen më 27 shtator dhe ushtria armene vazhdoi sulmet e saj ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, madje duke shkelur marrëveshjet humanitare të armëpushimit, për mbi 40 ditë.
Baku gjatë kësaj kohe çliroi disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra të tij nga pushtimi armen.
Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t'i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Turqia e ka mirëpritur armëpushimin, e cila është rezultat i sukseseve ushtarake të Bakut dhe i ka dhënë asaj një epërsi të lartë mbi Yerevanin për të zgjidhur mosmarrëveshjen gati tre-dekadëshe.