Elena Teslova
15 Mars 2022•Përditësim: 15 Mars 2022
Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, me iniciativën e këtij të fundit, njoftoi Kremlini të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).
"Udhëheqësit shkëmbyen mendime për operacionin special për mbrojtjen e republikave në Donbas. Në këtë kontekst, Vladimir Putin vuri në dukje veprimin e fundit barbar të ushtrisë ukrainase - sulmin e sotëm me raketa në pjesën qendrore të Donetskut. Raketa kishte municion thërrmues, e cila rezultoi në viktima të shumta civile”, thuhet në deklaratë.
Putini i shprehu kryeministrit izraelit vlerësimet e tij për negociatat ndërmjet përfaqësuesve rusë dhe ukrainas, të cilat po zhvillohen këto ditë përmes videokonferencës.
Bennett, i cili ka bërë përpjekje aktive për arritjen e zgjidhjes paqësore rreth luftës Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka informuar presidentin e Rusisë për kontaktet e tij të fundit për çështjen e Ukrainës me liderët e disa shteteve.
Lufta Rusi-Ukrainë ka nxitur reagime ndërkombëtare dhe ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës duke shkaktuar një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Të paktën 636 civilë janë vrarë dhe 1.125 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas OKB-së. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë pasi nuk kanë pasur akses në zonat ku luftimet janë të ashpra.
Rreth 2,8 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.