Davut Çolak
07 Shtator 2017•Përditësim: 07 Shtator 2017
KOPENHAGË (AA) - Princi 83-vjeçar i Danimarkës Henrik është diagnostikuar me demencë, njoftoi pallati mbretëror i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi për mediat të publikuar nga Zyra e Shtypit e Pallatit Mbretëror në emër të Mbretëreshës Margareta II.
"Pas shumë analizave dhe një sërë trajtimesh në muajt e verës që lamë pas, ekipi i specialistëve në Spitalin Mbretëror Rigshospitalet konstatoi se Madhështia e Tij Princi Henrik vuan nga demenca", thuhet në njoftim.
Sipas deklaratës, te Princi Henrik është konstatuar dobësim i funksionit kognitiv.
"Sipas Spitalit Mbretëror, dobësimi i funksionit kognitiv është më kritik sesa ajo që pritet në raport me moshën e tij dhe mund të shkaktojë ndryshime në sjellje, reaksione, gjykim dhe jetën emocionale dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet me botën e jashtme", theksohet në njoftim.
"Pas diagnistikimit, princi do t'i reduktojë aktivitetet që do t'i realizojë edhe më tej në të ardhmen në emër të familjes mbretërore", njoftohet më tej.
Princi Henrik u martua me Mbretëreshën e Danimarkës Margareta II në vitin 1967. Me ardhjen e Margaretës II në fron, Princit Henrik nuk iu dha titulli "Mbret".
Ai ka shprehur shqetësime për këtë, ndërsa në një deklaratë për mediat është ankuar për faktin se nuk konsiderohet i barabartë me bashkëshorten e tij dhe se për këtë arsye nuk dëshiron të varroset pranë saj.
Deklarata e princit shkaktoi reagime, ndërsa për talljet që pasuan në drejtim të tij, ai fajësoi Mbretëreshën Margareta, e cila është përgjegjësja e drejtpërdrejt për mosdhënien e titullit "Mbret".
Çifti Henrik dhe Margareta kanë dy fëmijë dhe tetë nipër dhe mbesa.