Davit Kachkachishvili
14 qershor 2022•Përditësim: 15 qershor 2022
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se do të vazhdojnë luftën për çlirimin e të gjitha tokave të pushtuara nga Rusia në vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zelenskyy vlerësoi 110 ditët e luftës në një postim në llogarinë e tij në Telegram dhe vuri në dukje se Forcat e Armatosura të Ukrainës kryen operacione të suksesshme sot në rajonin e Donbasit.
Ai tha se kanë rifituar kontrollin mbi rajonet jugore të vendit dhe kanë çliruar pjesën më të madhe të rajonit të Kharkivit nga armiku në këto 110 ditë.
"Në përgjithësi, më shumë se 1.000 vendbanime u çliruan, sulmet e pushtuesve në jug të Ukrainës u ndaluan", tha Zelenskyy.
"Kostoja e luftës është shumë e rëndë për Ukrainën"
Po ashtu, Zelenskyy deklaroi se ushtarët ukrainas u shkaktuan humbje të mëdha forcave ruse në Donbas dhe tha se betejat në Donbas do të hyjnë patjetër në histori si një nga betejat më brutale në Evropë dhe për Evropën".
Presidenti ukrainas përsëriti se kanë nevojë për armë të fuqishme dhe moderne për t'i dhënë fund luftës së vazhdueshme në vendin e tyre.
"Dhe çdo ditë ne tërheqim vëmendjen e partnerëve tanë se vetëm një sasi e mjaftueshme e artilerisë moderne do t'i japë Ukrainës avantazh dhe më në fund do t’i japë fund ofensivës ruse në Donbasin ukrainas", shtoi ai.
Duke theksuar se shumë civilë dhe fëmijë humbën jetën në luftë, Zelenskyy tha: "Kostoja e kësaj lufte për Ukrainën është shumë e rëndë dhe e tmerrshme".
Ai tha se vija e frontit në Ukrainë në luftën me Rusinë ka kaluar mbi 2.500 kilometra, duke shtuar se "nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të vazhdojnë dhe të çlirojnë të gjitha tokat e tyre dhe se do të dëbojnë pushtuesit nga territoret e tyre".