Bekim Laci
23 Shtator 2016•Përditësim: 23 Shtator 2016
SHKUP (AA) – Ligjet të cilët kanë të bëjnë me procesin e lustracionit nuk kanë përmbushur qëllimin e idesë, që procesi i demokracisë të mundësohet përmes pastrimit të sistemit, është ky konstatimi i përgjithshëm i studimit të publikuar të premten në Shkup me temë “ Të drejtat e njeriut në procesin e lustracionit”, të cilin e përgatiti Instituti për të Drejtat e Njeriut (IDNJ) i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëri nga konstatimet e analizës së publikuar është se ligjet për lustracionin në vend që të bëhen instrument për zbardhjen e fakteve për personat që kanë bashkëpunuar me organet e sigurisë duke shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në vend që të jenë instrument për përforcimin e të drejtave të njeriut, janë shndërruar në instrument për "larje hesapesh" me ata që politikisht dhe ideologjikisht mendojnë ndryshe. Theksohet se kjo situatë, është në kundërshtim me deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
Kryetarja e IDNJ-së, njëherësh nënkryetare e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, Margarita Caca Nikollovska, deklaroi se shteti ka keqinformuar qytetarët kur deklaroi se ndërpret procesin e lustracionit, pasi ai ka përmbushur qëllimet, sepse sipas saj, raporti i Pribes kërkoi nga shteti të përcaktojë mangësitë e ligjit për lustracionin.
“Lëshimi i parë ka të bëjë me kohën kur është miratuar ligji sepse secili standard parasheh që procesi i lustracionit të bëhet menjëherë pas ndërrimit të sistemit të një regjimi dhe kjo te ne fatkeqësisht ndodhi 18 vite më pas. Kjo vërejtje u dha edhe përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese edhe përmes Komisionit të Venecias, mirëpo shteti nuk e morri si bazë, ndërsa një mangësi tjetër është edhe revanshizmi në vendime”, tha Nikolloska. Ajo ka shtuar se analiza e publikuar ka edhe rekomandimet e saj, njëri prej të cilëve është revizioni ku kërkohet “medikamenti juridik” për viktimat e procesit të cilëve do tu mundësohet kompensimi i dëmit i cili është shkaktuar nga ky proces.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoni, Wouter Plomp tha se ligji për lustracionin në Maqedoni është miratuar relativisht vonë në vitin 2008 dhe në të janë përfshi edhe 15 vitet e para të periudhës së pavarësimit nga ish-Jugosllavia, madje edhe pas periudhës kur Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për në BE.
Sipas tij këto fakte ngjallën dyshime që nga fillimi i procesit prandaj jo rastësisht procesi i lustracionit përmendet në secilin raport të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, në raportet e Komisionit të Venecias, raportin e Pribes dhe së fundmi në vlerësimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila dha rekomandime konkrete.
“Edhe pse procesi u tërhoq vitin e kaluar, proceset e proceduara deri më tani dhe disa që vazhdojnë të procedohen, parashtrojnë disa shqetësime nga aspekti i të drejtave të njeriut”, tha Plomp.
Analiza "Të drejtat e njeriut në procesin e lustracionit", u publikua në formë të librit, botimin e të cilit e ka financuar Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup.