Haydar Karaalp
31 Dhjetor 2019•Përditësim: 01 Janar 2020
Protestuesit irakianë hynë në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, duke protestuar kundër sulmeve të Washingtonit mbi batalionet e armatosura të forcave të Hashd al-Shaabi të mbështetura nga Irani, raporton Anadolu Agency (AA).
Të paktën 25 njerëz u vranë gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së në fundjavë ndaj pozicioneve të Kataib Hezbollah, një grup militantësh të mbështetur nga Irani, në Irak dhe Siri që është i lidhur me forcat Hashd al-Shaabi.
Qindra protestues u mblodhën sot herët pranë ambasadës për të shfaqur zemërimin e tyre ndaj sulmeve amerikane.
Sipas korrespodentit të AA-së në vendngjarje, disa protestues irakianë i vunë zjarrin mureve përreth kompleksit të ambasadës.
Ndërkohë, dëshmitarët okularë thanë për AA se drejtuesit e shquar të fraksioneve të forcave Hashd al-Shabi po udhëheqin protestat, ndërsa protestuesit kanë filluar të ngrenë çadra para kompleksit të ambasadës.
- Trump: Irani orkestron sulmin ndaj ambasadës amerikane në Irak
- Kryeministri irakian thirrje protestuesve të largohen nga ambasada amerikane
Ministria e Jashtme e Irakut i ka dënuar sulmet, duke i quajtur ato "një shkelje e qartë e sovranitetit të Irakut".
"Iraku është një vend i pavarur", ka thënë ministria në një deklaratë, duke shtuar se nuk do të lejojnë që Iraku të shndërrohet në "një fushë beteje ose një pikë kalimi për një sulm, ose që territoret e tij të përdoren për të shënjestruar vendet fqinje".
Sipas medias lokale, diplomatët amerikanë janë larguar nga ndërtesa e ambasadës.