Elena Teslova
31 Dhjetor 2019•Përditësim: 01 Janar 2020
Ministria e Jashtme e Rusisë përshëndeti të hënën shkëmbimin e 200 të burgosurve gjatë fundjavës nga autoritetet ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në një pikë kontrolli në lindje të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shkëmbimi u realizua më 29 dhjetor në përputhje me marrëveshjet e arritura në Samitin e Parisit të Katërshes së Normandisë, format i cili përfshin Gjermaninë, Francën, Rusinë dhe Ukrainën.
"Moska mirëpret këtë hap të rëndësishëm humanitar, i cili ka lejuar dhjetëra njerëz të ribashkohen me familjet e tyre dhe të mirëpresin Vitin e Ri që vjen me të afërmit dhe miqtë e tyre", tha ministria në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare.
Rusia pret që puna të vazhdojë në vitin 2020 për zbatimin e marrëveshjeve së Minskut për të zgjidhur situatën në lindje të Ukrainës.
Më 9 dhjetor në Samitin e Katërshes së Normandisë, presidenti Rus Vladimir Putin dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ranë dakord për shkëmbimin e të gjithë të burgosurve të identifikuar nga të dyja palët.
Rusia dhe Ukraina janë në një mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.
Turqia dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e konsiderojnë aneksimin si të paligjshëm.
Ukraina ka fajësuar gjithashtu Kremlin për dhunën e separatistëve në Ukrainën lindore afër kufirit me Rusinë.