Nazir Aliyev Tayfur
06 tetor 2020•Përditësim: 06 tetor 2020
Në Kirgistan u mbajtën protesta kundër rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën më 4 tetor ndërsa protestuesit pushtuan ndërtesën e presidencës dhe parlamentin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mbështetësit e 12 partive të cilët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u njoftuan se nuk kanë kaluar barazhin e 7 për qind, zhvilluan një protestë pasi u mblodhën në sheshin Ala-Too në kryeqytetin Bishkek me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve.
Policia përdori gaz losjellës dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit për të cilët thuhet se numri i tyre tejkalon mbi 5.000. Protestuesit qëlluan me gurë dhe shkopinj si dhe drejtuan kamionin e zjarrfikëses dhe të mbeturinave të bashkisë mbi policinë. Ndërkohë duke përfituar nga tërheqja e policisë protestuesit pushtuan ndërtesën e presidencës dhe parlamentin që ndodhet brenda saj.
Deri më tani në incidente janë plagosur mbi 100 persona. Forcat e sigurisë nuk ka ndërhyrë ndaj protestuesve.
Përderisa një pjesë e protestuesve vazhduan qëndrimin në presidencë, pjesa tjetër e tyre lëvizi drejt sheshit Ala-Too dhe drejt burgut ku qëndrojnë të burgosurit politikë.
Protestuesit në sheshin Ala-Too mbajtën festime dhe njoftuan me altoparlantë: "Morëm Presidencën" dhe "Almazbek Atambayev dhe Sadir Caparov duhet të lirohen".
Zëdhënësja për media e presidencës, Tolgonai Stamalieva tha se presidenti Sooronbay Ceenbekov ndodhet në Bishkek.