Yakup Salman
28 Shtator 2015•Përditësim: 28 Shtator 2015
BISHKEK (AA) - Njoftohet se "Xhamia e Bishkekut" e cila ka nisur të ndërtohet para 3 viteve nga Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet Vakfi) në Kryeqytetin e Kirgizistanit do të jetë xhamia më e madhe në Azinë Qendrore, raporton Anadolu Agency (AA).
Konsulenti i Shërbimeve Fetare në Bishkek i Kryesisë së Çështjeve Fetare, Orhan Genç në një deklaratë ka rikujtuar se pas pavarësisë së Kirgizistanit,Kryesia e Çështjeve Fetare dhe Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë kanë kryer një numër të madh shërbimesh në këtë vend.
Genç duke vënë në dukje se Kryesia e Çështjeve Fetare ka kontribuar duke dërguar edhe klerikë fetarë në Kirgizistan tha se: "Në Kirgizistan janë ndërtuar edhe xhami të vogla edhe të mëdha. Ndërsa tani po ndërtojmë xhaminë më të madhe në Azinë e Mesme. Themelet e Xhamisë së Bishkekut janë hedhur në vitin 2012 dhe do të jetë në arkitekturën Osmane si dhe do të jetën xhamia më e bukur dhe më e madhe në Azinë e Mesme".
Duke vënë në dukje se "ndërtimi është në përfundim" Genç ka shtuar më tej se: "Në xhami tashmë kanë mbetur punimet e vogla. Disa nga materialet që mund ti gjejmë në Kirgizistan i marrim këtu, ndërsa ato që nuk mund të gjejmë detyrohemi ti sjellim nga Turqia. Madje edhe plumbin e kemi sjellë me maune nga Turqia. Për këtë arsye ndërtimi merr edhe pak kohë. Synimi ynë është që të përfundojmë xhaminë jo më vonë se në Kurban Bajramin e vitit 2017. Shpresojmë se kur të përfundojë do të jetë një vend i rëndësishëm për Bishkekun dhe Kirgizistanin, gjithashtu do të jetë edhe pika e parë për tu vizituar nga turistët. Kjo xhami është një dhuratë e popullit turk për popullin kirgiz. Do të jetë një xhami e ndërtuar plotësisht me kontributet e popullit turk. Jam i mendimit se marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Kirgizistanit do të jenë edhe më të mira pas ndërtimit të kësaj xhamie".
Genç ka shpjeguar më tej se xhamia është e ndërtuar mbi një territor prej 35 dynym dhe se kompleksi i xhamisë përbëhet nga katër pjesë ku do të jenë Konsulenca e Shërbimeve Fetare, Myftinia dhe vendi abdesthanes.
Genç shton më tej se xhamia me një ambient të mbyllur prej 7 mijë e 500 metra katrorë do të ketë një kapacitet prej 10 mijë personash, ku jashtë dhe brenda mund të falen njëherësh 20 mijë persona.
Ndërsa mjeshtri i mermerit nga qyteti Yozgat, Halit Savcı tha se një pjesë e madhe e punonjësve janë nga Turqia dhe se ata janë krenarë që punojnë në një vend të tillë.